Vendimi i Barcelonës për ta shkarkuar Xavin tashmë ka marrë një tjetër kthesë të çuditshme.

Xavi do ta drejtojë Barcelonën për herë të fundit sot (26 maj) teksa blaugranasit do të jenë mysafir të Sevillës në ndeshjen e tyre të fundit në La Liga këtë sezon.

Vendimi i klubit për ta shkarkuar Xavin ka qenë një i diskutueshëm pasi tifozët u ndanë në dy pjesë dhe kishte shumë prej tyre që preferonin që Xavi të vazhdonte si trajner i Barcelonës.

Ish-lojtari i kombetares spanjolle paraprakisht kishte ndryshuar vendimin e tij për t’u larguar nga klubi, pasi kishte konfirmuar në fillim të këtij viti se do të largohet.

Joan Laporta pas disa bisedave me teknikun spanjoll e bindi që të qëndrojë, para se vet presidenti ta shkarkojë atë vetëm disa muaj më vonë.

Sipas një raportimi nga Marca, vizita e Xavit në spitalin ku ishte shtrirë Laporta konfirmoi largimin e tij, pasi presidenti i Barçës ishte në një gjendje jo të mirë shëndetësore.

Raporti shton se Laporta i ka thënë Xavit se ky vendim ishte një lëvizje ‘logjike’, pavarësisht faktit që e do shumë si trajner.

Pas largimit të Xavit menjëherë ishte konfirmuar nga burime të ndryshme se në krye të klubit tashmë do të vijë gjermani Hansi Flick, i cili gjithmonë sipas raportimeve nga Spanja, pritet që të zyrtarizohet nesër (e hënë) në stolin e blaugranasve./Telegrafi/