Albert Lusha krenohet me Luzin e tij. E pranon që është e vështirë të mbash i vetëm një klub futbolli, por sërish ia doli. Në vetëm 15 vite ka ndërtuar një ekip që po çudit këdo dhe sot ka një stadium totalisht të rikonstruktuar. Në një intervistë të dhëne enkas për “Panorama Sport”, presidenti tregon shumë. Jo vetëm shifrën që ka investuar në impiantin e inauguruar dy ditë më parë, por edhe lëvizjet e ndodhura në stol në harkun e një jave.


Luzi 2008 ka tashmë një stadium të rikonstruksuar. Si ishte të luaje në shtëpi pas një shkëputjeje kaq të gjatë?

Çliruese. Nuk ishte aspak e lehtë t’u kërkoja homologëve të mi dhe bashkive respektive të na lejonin terrenet për të luajtur ndeshjet tona. I falënderoj të gjithë, por më së shumti bashkinë dhe drejtuesit e Erzenit. Në këto kushte, kthimi në shtëpi ishte domosdoshmëri, fundja Luzi u krijua dhe luan për t’i argëtuar bashkëqytetarët tanë. Kështu, falë dashamirësisë së presidentit Duka, të cilin e falënderoj, bëmë të mundur rikonstruksionin total të tij.

Mund të na tregoni se sa ju ka kushtuar investimi, përtej kontributit të FSHF-së?

Përtej kontributit të FSHFsë, s’është sekret t’u them se nga ana jonë janë investuar mbi 120 mijë euro. Këtu dua të sqaroj se stadiumi ynë nuk i shërben vetëm Luzit, por të gjitha ekipeve që do të luajnë ndaj nesh në Luz në kushte komode. A nuk janë ankuar ata dhe unë për fusha të veçanta ku luajmë? Ndaj them, do të jetë i të gjithëve.


Dhe e nisën mbarë rrugëtimin në këtë impiant, duke mundur Korabin…

Jo se tashmë gjithçka ka mbaruar, por kisha besim të madh tek ekipi se në atë fushë fantastike, me një ekip që luan kryesisht teknikisht, prisja fitoren. Nuk ishte aspak e lehtë, pasi Korabi ka vërtet një ekip cilësor, por arma jonë më e fortë ishte freskia e moshës së shumicës së ekipit, dëshira për të reaguar pas disa ndeshjeve pa fitore dhe më kryesorja, një detyrim për t’i uruar mirëseardhjen tifozëve tanë në shtëpinë e tyre.


Ndërkohë që këtë fitore e arrin trajneri Bledi Kadiu. Çfarë ndodhi me dy trajnerët paraardhës, Pashja e Kuli?

E para, nuk është Luzi i vetmi ekip që ikin dhe vijnë trajnerë. Sa për pyetjen tuaj, ju sqaroj se ish-trajneri Pashja ka punuar mjaft mirë me ekipin për një kohë të gjatë. Por erdhi një moment që munguan rezultatet që prisja për disa javë rresht. Pavarësisht kësaj, nuk e largova trajnerin deri sa erdhi momenti që mund të rrezikonim investimin tonë nëse vijonim pa fitore. Gjykova se përgjegjësitë në të tilla raste, si në çdo ekip, i merr trajneri. Ndërsa me Kulin, me gjithë dëshirën e mirë, nuk arritëm dot të gjenim dakordësinë në disa pika bashkëpunimi.


Tashmë që i njihni mirë, duam të dimë kush është lojtari i preferuar i Lushës?

Duhet ta dini se të gjithë futbollistët që aktualisht luajnë te Luzi i kam afruar unë, që vjet. Kur them këtë, kam parasysh se shumica e tyre erdhën 17-18 vjeç dhe janë familja ime. Në këto kushte, ju e dini se nuk mund të kem vërtet një të përkëdhelur.