Vllaznia e femrave bëri një arritje historike për futbollin shqiptar, teksa ditën e djeshme u kualifikua në grupet e Champions League, duke eliminuar në “play-off” ukrainaset e Vorskla Kharkiv. Në lidhje me këtë, në emisionin “SportZone” të moderatorit Gerti Çarçani, në MCN TV, ka folur presidenti i klubit shkodran, Lazër Matija.

Ky i fundit u shpreh se skuadra ka 12-vite që punon për të arritur deri në këtë nivel. Ai shtoi se në fillimet e krijimit të kësaj skuadre, ka pasur shumë vështirësi, ku nuk kishte as numër futbollistesh për stërvitje. Poashtu, Matija u shpreh se objektivi i vetëm i Vllaznisë ishin grupet, ndërsa theksoi se edhe FSHF ka qenë gjithmonë në mbështetje të futbollit të femrave.

“Ne kaluam në 32-ekipet më të mira të Europës. Objektivi i vetëm i ekipit ishin grupet. Nëse nuk do ia kishim vendosur vetes këtë objektiv, do ia kishim vështirësuar punën vetes.

Për të arritur këtu, kemi 12-vite që kemi filluar investimet këtu. Në tre vitet e para, kemi luajtur me një logo tjetër, atë të Adës së Velipojës. Më pas, kaluam te emri i Vllaznisë dhe e kishim detyrim për ta mbështetur më shumë këtë ekip. Kemi punuar në kushte shumë të vështira. Në vitet e para, nuk kishim vajza për të plotësuar numrin në stërvitje.

Edhe FSHF ka qenë gjithmonë në mbështetje të futbollit të femrave. Më kryesorja, është grupi i këtyre vajzave që kontribuojnë prej vitesh. Kënaqësia më e madhe është që këto vajza që i kam futur në rrugën e sportit dhe tashmë marrin frytet e punës së tyre. Duhen shumë vite që futbollit shqiptar të femrave, t’i vijë një grup vajzash si këto të Vllaznisë.

Grupet janë të vështira për të marrë pikët. Mjafton të shikosh emrat e ekipeve që marrin pjesë aty. Vetëm emrat të frikësojnë, por në futboll ndodh gjithçka. Nëse nuk do kishim besuar, nuk do kishim arritur deri këtu. Edhe në grupe nuk premtojmë gjëra të mëdha, sepse aty ka ekipe me emër, por do i marrim ndeshjet një nga një. Vllaznia nuk do të jetë një ekip i lehtë në grup. Të gjithë kundërshtarët duan Vllazninë, por më pas bëhen pishman që donin Vllazninë.

Sot niveli ku luajmë ne, ka nevoja të mëdha. Ne përballë kemi ekipe me buxhet të madh. Nëse tregojmë buxhetin tonë, do duket qesharake. Çdo mbështetje për këtë ekip, do të ishte e mirë. Kjo është pasqyrë e futbollit shqiptar.

Objektivin nuk e kemi vendosur ende. Në vazhdim, do të shikojmë për të dalë me një objektiv për grupet në Champions League. Vllaznia është këtu ku është pa asnjë mbështetje. Nuk na ka ndihmuar askush”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Vllaznisë së femrave, Lazër Matija.
Maringlen ZHIVANI