Marrja edhe e tre lojtareve të tjera amerikane ka bërë që Vllaznia tashmë të jetë më e plotë dhe më e plotë në prag të ndeshjeve të turit të dytë të Ligës së Kampioneve të Europës.

Presidenti i kampiones së Shqipërisë në futboll për femra, Lazer Matija gjatë prezantimit të këtyre lojtareve ditën e sotme është shprehur:

“Forcimi i skuadrës me të tjera lojtare cilësore na doli si domosdoshmëri tashmë që ekipi do të marrë pjesë në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian. Objektivi i Vllaznisë për këtë edicion është arritur megjithatë kjo nuk do të thotë se ndaj ekipit danez do të luajmë të dorëzuar.

Vllaznia ka elementë cilësorë në rradhët e saj dhe me to padyshim që do të tentojmë deri në fund të synojmë kualfikimin. Për ne shumë e rëndësishme është ndeshja e parë që do të luajmë në Shkodër.

Shpresoj që data 11 shtator të kthehet në festë për tifozët shkodranë në stadiumin “Loro Boriçi” në të cilin besoj se ka për të mbizotëruar elementi femër, që do vijnë për të mbështetur këto vajza që po na nderojnë me paraqitjet e tyre”.
© shkodrasport.com