Erlind Pëllumbi ka folur për situatën në cilën gjendet volejbolli në vendin tonë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit ka deklaruar se kampionatet nuk do të përfundojnë tani, por do të pritet të stabilizohet situata për të rifilluar sërish.

Ai thekson se Federata Europiane nuk ka ndonjë fond të veçantë, ndërsa nuk ngurron t’i mëshojë faktit se volejbolli është sporti më i varfër. Në një lidhje direkte për TemaTv, Pëllumbi ka treguar edhe skenarët e mundshëm se si mund të vijojë ky edicion.

“Faktikisht vitet e fundit, jo vetëm volejbolli, por gjitha sportet kanë pasur ngërçe financiare. Por, s’është kjo ajo që na shqetëson. Të kalojmë njëherë këtë situatë dhe më pas do të shohim se ç’mund të bëjmë.

Sporti i volejbollit është i varfër në krahasim dhe ka nevojë për patericat e shtetit. Federata Europiane na jep një suport për trajninimin e stafeve, volejbollin në shkolla, moshat e vogla etj. Por, nuk përkthehen në vlerë monetare.

Masat? Edhe ne si gjithë Federatat e tjera, kemi marrë masat tona në varësi të dekreteve që nxjerr qeveria. Na u dogjën të dy skenarët, edhe A edhe B. Disa Federata e kanë shpallur të mbyllur edicionin e tyre. Ne do vazhdojmë të shpresojmë për një fazë play-off për t’i dhënë mundësi gjitha skuadrave për t’u shpallur kampion. Kjo varet për kohën që do të mbarojë karantimi.

Cilësia e kampionatit? Gjithmonë faza e dytë e kampionatit merr vlera të tjera nga e para. Ekipet hyjnë në fazën e play-off gjë që të jep mundësi për kampion. Penalizimi do të jetë i madh nga kjo pauzë. E shoh pak të vështirë pjesën e vazhdimit. Të gjithë lojtarët ashtu si ne janë të izoluar në kushte shtëpie, pavarësisht se mund të bëjnë disa ushtrime për të mbajtur formën. Nëse karantimi do të përfundojë shpejt do të lëmë hapësirën e nevojshme për t’u përgatitur. Shpresa është e madhe për të zhvilluar fazën play-off”, ka thënë ndër të tjera ai.