Vllaznia mori një fitore shumë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme në “Loro Boriçi”. Shkodranët triumfuan 3-1 ndaj Tiranës, duke fituar kështu edhe Klasiken e Parë të këtij sezoni.
Pas këtij suksesi, shkodranët vazhdojnë të kryesojnë në Superiore pas 8 javësh. Një sukses i rëndësishëm për kuqeblutë, të cilët në “Loro Boriçi” marrin një tjetër 3 pikësh.
Pikërisht ky stadium është edhe “çelësi i suksesit” të shkodranëve. Këto të fundit, “Loro Boriçin” e kanë kthyer në një fortesë dhe për këtë Alban Xhaferi ka zbuluar edhe statistikat e Vllaznisë në këtë sezon në “shtëpinë” e tyre.
“Loro Boriçi”, një fortesë që quhet garanci. Vllaznia ka 5 fitore, në 5 ndeshje brenda mureve. Ndryshe nga legjenda e Rozafatit, askush nuk e prish dot natën…
Janë 12 gola të shënuar dhe 2 të pësuar në 450 minuta: praktikisht mesatarisht një gol çdo 37 minuta në Loro Boriçi “, ka shkruar presidenti i kuqebluve.







