Nga Gjergj KOLA
Historia e mundjes shkodrane dhe sukseset që ajo ka arritur si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare, e bëjnë këtë sport të jetë gjithnjë në elitën e sportit shkodran. Rrjedhojë kjo e kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë në vite, sportistë të mëdhenj.
Por, përpos sportistëve, Shkodra ka patur edhe trajnerë të shkëlqyer dhe njëri prej tyre është edhe Bajram Agovi. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse është një ditë e veçantë për të. Bajram Agovi feston sot 77 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite të tjera të lumtura.
Ka lindur në Shkodër më 25 tetor 1947 dhe në rininë e tij, por edhe më pas, do t’i përkushtohej sportit të mundjes me të cilin ka kaluar plot 40 vite, që nga 1962 dhe deri më 2002, teksa ka kontribuar si sportist, trajner por edhe arbitër.
Filloi çdo gjë për të në vitin 1962 ku nën urdhërat e trajnerit të njohur Njazi Bushati arriti të bënte hapat e parë në sportin e mundjes. Viti 1963 do sillte suksesin e parë ku do shpallej kampion për të rinj në peshën 49 kilogramë.
Viti 1964 do shënonte kalimin e tij te ekipi i të rriturve ku do ishte nën udhëheqjen e e trajnerit Qazim Elbasani. Sërish viti 1965 do shënonte një titull për të rinjtë. Me emra të njohur si Asim Belinova, Balo Halluni, Ndoc Marku e shumë e shumë të tjerë do ishte pjesë e një ekipi të madh të mundjes, citon shkodrasport.com
Por figura e tij e sportistit nuk do qëndronte vetëm brenda sportit të mundjes. Në kohën kur lejoheshin te luheshin 2 sporte, Agovi luajti edhe futboll me të rinjtë e Vllaznisë në vitin 1965. Ishte shok ekipi me emra të mëdhenj si Halil Puka, Ismet Hoxha, Ferit Hasani dhe nën drejtimin e një legjende si Xhelal Juka.
Vitet do ecinin dhe në vitet 1970-1974 luan futboll me shpresat e Vllaznisë ku si trajner ka Nikoll Gjergji, një tjetër emër i njohur i futbollit shkodran.
Në po atë vit Bajram Agovi krijon krijon kolegjiumin e arbitrave të mundjes, ku Shkodra përfaqësohej me 3 arbitra. Bëhet kryetar i kolegjiumit të Shkodrës dhe anëtar i kolegjiumit të Shqipërisë. Viti 1981 e shtyn që të kryejë kursin e trajnerit të mundjes, një sporti shumë të dashur për të, shkruan shkodrasport.com
Nga viti 1981-1987 drejton ekipin e Vllaznisë të së rriturve. Në mundjen klasike fiton me Vllazninë në vitin 1984 medaljet e arta në spartakiadën kombëtare të Shqipërisë duke nxjerre njekohesisht edhe 5 kampione, gje qe se ka bere me asnje ekip deri me sot dhe me këtë sukses kontribuan që Shkodra të zinte vendin e parë në mbarë Spartakiadën e 4-të Kombëtare që u zhvillua atë vit.
Pjesë të atij ekipi ishin emra të njohur si Eljaz Guri, Paulin Sterkaj, Seit Fishta, Paulin Merla, Ali Amza, Sander Leka, Pal Marku, Mond Çupi, Dilaver Cufi e shumë të tjerë.
Vitet 1988-1994 do shikonin që dimensioni i tij në sport të zgjerohej akoma më tepër. Kjo pasi do bënte arbitrin në mundje, duke dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e këtij sporti. Viti 2001 do shihet një nderim të tij nga ana e presidentit Rexhep Mejdani që i jep Agovit medaljen e bronztë.
Federata e mundjes e dekoron në vitin 2014 me titullin “Nderi i mundjes shqiptare”. Një figurë shumë dimensionale në sport duke filluar nga sportist i mundjes dhe futbollit, trajner i mundjes dhe arbitër i këtij sporti. Ndërkohë, siç e thamë, para pese vitesh Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia e kanë nderuar me “Mirënjohje” si “Trajner i shekullit” me rastin e 100 vjetorit të themelimit të klubit Vllaznia./www.shkodrasport.com/