Marsel Ismajlgeci shpreson që të jetë titullar në sfidën me Kukësin. Lojtari dje ishte në stërvitje, por sërish mbetet në dorë të trajnerit Orges Shehi aktivizimi nga minuta e parë. Një shqetësim muskulor ka vënë në dyshim qenësinë e Ismajlgecit. Gjithsesi, në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni i Tiranës pranon se e priste një ftesë nga kuqezinjtë, por nuk ka çfarë të bëjë, veçse të punojë më shumë për të qenë në skuadër takimin e ardhshëm. Kapiteni thotë se Erzeni duhet të harrohet dhe Tirana duhet të përsërisë sfidën me Partizanin për të mundur Kukësin ditën e diel në “Selman Stërmasi”. “Geci” foli edhe për titullin që sipas tij mbrohet nga skuadra e këtij sezoni.

Marsel si është gjendja juaj pas problemeve që keni pasur?

Them se për momentin jam mirë. Çdo gjë është drejt kalimit.

Do të jeni me Kukësin?

Shpresoj dhe besoj që po.

Vini nga një rezultat i keq me Erzenin. Si e keni parë Tiranën këto javë kampionat?

Skuadra është shumë mirë. Humbja me Erzenin na dëmtoi pak moralisht. Ama ne e kemi treguar edhe sezonin e shkuar kundër Vllaznisë që pasi bëmë një ndeshje të keqe, në sfidën e radhës kemi dhënë maksimumin dhe kemi fituar. Ndeshja me Erzenin duhet të harrohet sa më shpejt. Duhet të fokusohemi te Kukësi. Ajo është ndeshja për t’u fituar.

Çfarë ndodhi me Erzenin. Ka zëra që thonë se fitorja e madhe në derbi ndikoi për keq te Tirana. Ju si mendoni?

Derbi nuk na bëri keq, por duke parë që sa mirë luajtëm me Partizanin, duke ndjekur ndeshjet e tjera ku nuk kemi bërë një lojë të mirë, besoj se ky është ndryshimi në sytë e të tjerëve. E përsëris, ndeshja me Kukësin do të jetë kthesa jonë si në sfidën me Partizanin.

Vjet Kukësin e dërrmuat me katër gola, duke kaluar më pas në vendin e parë?

I kemi kapacitetet për të bërë shumë gola dhe ndërtuar shumë raste siç ndodhi edhe vjet. Lojtarët që u larguan dhe ata që kanë ardhur janë aty-aty.

Titulli i dytë mund të fitohet nga Tirana me këtë ekip. I ka mundësitë Tirana të bëjë “bis”?

Po. I ka të gjitha mundësitë, potencialin dhe fuqitë që ta mbrojë titullin kampion.

Kapiten i Tiranës dhe i ekipit Shpresa. E prisnit një ftesë nga Kombëtarja?

Është normale që gjithsesi, e pret një ftesë nga ekipi përfaqësues shqiptar. Nuk erdhi këtë radhë. Nuk kam ç’të bëj. Do të jap më të mirën me klubin, që ajo ftesë të më vijë në takimin e radhës.

Ju jeni shumë i ri në moshë, i vjetër te bardheblutë. Si është të jesh kapiteni i Tiranës?

Për mua është ndjesi e veçantë. Është klubi më i madh dhe i titulluar në Shqipëri. Është privilegj shumë i madh. Fjalët e tjera do të ishin të tepërta.

Ju luani mbrojtës, mesfushor, sulmues krahu. Cilin pozicion preferoni në fushën e lojës?

Më mirë e ndiej veten në mbrojtje. Jam ambientuar tashmë. Kam luajtur mbrojtës kur erdha te Tirana. Ama luaj sulmues dhe në çdo pozicion nëse më jepet mundësia apo do të luaj ku i nevojitet ekipit.