Privatizimi i Vllaznisë në masën 100 % do t’i heqë një barrë jo të vogël bashkisë Shkodër, që prej 11 vitesh administronte totalisht klubin duke e mbajtur me paratë e taksapaguesve.
Çdo vit bashkia Shkodër jepte shuma të konsiderueshme për klubin e futbollit, që kanë shkuar mbi 800 milionë lekë të vjetër brenda një sezoni.
Tashmë, pas shitjes së aksioneve, normalisht këto para nuk do të jepen më, por duke qenë se Vllaznia është aset i qytetit të Shkodrës, pritet që bashkia ta ndihmojë presidentin e ri, Alban Xhaferi, në forma të tjera.
Gjasat janë që stadiumi “Loro Boriçi” dhe fusha “Reshit Rusi” t’i jepen në përdorim me një kontratë afatgjatë drejtuesve të rinj të klubit shkodran.
Kështu ndodhi edhe pak vite më parë me bashkinë Tiranë, që bëri një kontratë afatgjatë me presidentin aktual, Refik Halili, sa i përket stadiumit “Selman Stërmasi” dhe kompleksit “Skënder Halili”.
Bashkia Shkodër dhe presidenti Xhaferi do të gjejnë një rrugë të mesme, në mënyrë që në të ardhmen, të shmangen edhe përplasjet me ngjyrim politik për Vllazninë. Gjithsesi, stadiumi është në pronësi të bashkisë dhe për të vendos vetëm Këshilli Bashkiak.