Privatizimi i Vllaznisë po vazhdon të duket gjithnjë e më shumë një telenovelë që nuk pritet të marrë fund së shpejti, Kur dukej se gjithçka po shkonte drejt rrugës së privatizimit të klubit shkodran, situata ka ndryshuar brenda pak javësh, pasi ankandi është bllokuar pas animimit të palëve pjesëmarrëse apo që pretendonin të merrnin pjesë.

Një prej tyre është edhe Valter Fushaj, ish-president i Vllaznisë, i cili ka shfaqur interes për të marrë në pronësi aksionet e klubit. Ai ka bërë ankimimim për kriteret e vendosura nga Bashkia në dokumentet e tenderit të privatizimit dhe Komisioni i Pavarur i Prokurimit Publik e ka pranuar këtë kërkesë, duke i kërkuar Bashkisë që të rifillojë procedurat me korrigjimet përkatëse.

“Është vendosur detyrimi i Bashkisë Shkodër për modifikimin e dokumenteve të ankandit për sa kohë që kushtet e vendosura nga Bashkia Shkodër bien në kundërshtim me ligjin, ulin konkurrencën dhe janë kritere kontradiktore, janë kritere konfuze dhe të paqarta si rezultat i informacioneve të paplota.

Sa i përket sponsorizimeve të ngjashme në një vlerë deri në 40% të vlerës fillestare, KPP shprehet që ky është një kriter në kundërshtim me frymën e ligjit si dhe kufizon dhe ul konkurrencën mes ofertave si dhe shkon përtej asaj çfarë është e nevojshme për të arritur synimin.

Sa i përket kriterit të vendosur nga Bashkia në lidhje me eksperiencat e mëparshme ku kërkohen që financimet dhe menaxhimet në fushën e sportit do të merren parasysh vetëm ato të realizuara në tre vitet e fundit, nga KPP është vendosur heqja e termit minimalisht në 3 vitet e fundit, për sa kohë që nëse Bashkia është e interesuar në eksperiencat e mëparshme, nuk ka pse i kufizon këto eksperienca vetëm në tre vitet e fundit, për sa kohë që është e parëndësishme se kur janë kryer eksperiencat e ngjashme, duke vendosur kështu heqjen e termit ‘minimalisht në 3 vitet e fundit’ për sa kohë që përveç se kufizon konkurrencën krijon paqartësi dhe konfuzion tek ofertuesit.

Po ashtu është pranuar edhe ankesa sa i përket faktit se kush do të konsiderohen financimet në sporte të ngjashme duke vendosur modifikimin dhe sqarimin në dokumentet e ankandit të këtij informacioni, për sa kohë që kriteri në mënyrën si është shprehur nga Bashkia është i paqartë, i pasaktësuar dhe krijon konfuzion edhe në procesin e ofertave dhe vlerësimit.

Është vendosur gjithashtu edhe detyrimi për modifikimin e dokumentit të ankandit pasi dokumentacioni në lidhje me vlerën reale të shitjes është një informacion i paqartë dhe i paplotë për sa kohë që nuk përcaktohen dhe saktësohen në asnjë moment detyrimet faktike dhe aktuale që KF Vllaznia ka ndaj të tretëve, fakte që bien në kundërshtim me frymën e ligjit i cili kërkon trajtim të njëjtë për të gjithë kandidatët dhe ofertuesit në procedurat e ankandit në mënyrë që të kenë një panoramë të plotë dhe të qartë mbi të drejtat dhe detyrimet që klubi ka ndaj të tretëve”, shkruhet ndër të tjera në dokumentin që i ka mbërritur më datë 13 prill Bashkisë dhe që e detyron që brenda 10 ditësh të ndryshojë dokumentet dhe të shpallë përsëri hapjen e ankandit. /vipsport/