Vllaznia vazhdoi ecurinë pozitive në Superiore edhe në ndeshjen e parë të vitit 2021. Shkodranët mposhtën në Loro Boriçi një rival të drejtpërdrejtë si Teuta falë golit të Ardit Hoxhaj.
Falë atij trepikëshi, kuqeblutë qëndrojnë të qetë në krye teksa tashmë janë nëntë pikë larg ndjekësve më të afërt.
Por, tashmë nga nesër vëmendja do të kthehet te ndeshja e radhës e cila është gjithashtu e një niveli të lartë vështirësie duke qenë se luhet në transfertë përballë Kukësit.
Verilindorët të cilët janë futur në një krizë, kërkojnë me ngulm reagimin ndërsa janë edhe një nga dy ekipet e vetme që i kanë mposhtur shkodranët në këtë kampionat.
Ndërkohë, si për të shtuar vështirësinë e kësaj sfide, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç duhet të përballet edhe me mungesa të rëndësishme. Bëhet fjalë për golashënuesin më të mirë të skuadrës dhe kampionatit Ardit Hoxhajn dhe kapitenin Erdenis Gurishta.
Sulmuesi u ndëshkua me karton të kuq ndaj Teutës dhe kështu është automatikisht jashtë, ndërsa nga ana tjetër, mbrojtësi plotësoi numrin e katër kartonëve të verdhë e tashmë duhet të qëndrojë pushim për një javë. Në këtë formë, ndaj Kukësit, kuqeblutë kanë misionin për të treguar edhe njëherë forcën e organikës. /VipSport/