Gjovalin Gega, ish-lojtar i Besëlidhjes, për 10-vite me rradhë ka qenë një nga futbollistët më të dashur të tifozëve lezhjanë. Ai ka lindur në Ishull-Lezhë në vitin 1957 dhe e ka filluar karrierën e tij me ekipin e të rinjve të Besëlidhjes. Gega ka luajtur edhe me Skraparin e pastaj me ekipin e parë të Besëlidhjes për 10-vite, aty ku ai mbylli edhe karrierën e tij.
Roli i tij ka qenë mbrojtës i krahut të djathtë dhe në kohën e tij, ai ka qenë një mbrojtës ofensiv, shumë i fuqishëm dhe ka qenë i pakalueshëm. Gega ka lënë kujtime të shumta kudo që ka luajtur dhe ai ka shkelur, aq sa edhe publicisti i njohur, Mustafa Nano, në librin e tij “Gegë e Toskë”, flet edhe për njohjen me ish-futbollistin lezhjan. Në atë kohë, Gega ishte ushtar në Skrapar dhe Nano ruan shumë kujtime me të, të cilat i ka botuar edhe në librin e tij, të cilin e nxorri në treg pak kohë më parë.
“Gega i dytë që kam njohur ka qenë një lezhjan, që erdhi të kryente shërbimin ushtarak në Skrapar dhe ndërkohë, luante futboll me skuadrën e qytetit. Ishte një djalë nja dy-tre vjet më i madh sesa unë, shtatlartë, me fytyrë të çelur, me flokë të verdhë, që mezi i shquheshin, ngaqë si ushtar që ishte, e qethnin gjithnjë zero. Quhej Gjovalin Gega dhe neve ia italianizonim ermin: Xhovalin. Shpesh i thërrisnim shkurt: Xhova. Të tjerët në skuadër e në qytet e thërrisinin “Gega”, jo prej mbiemrit, por prej origjinës.
Kemi luajtur futboll bashkë për dy vjet me rradhë. Unë isha në vitet e fundit të gjimnazit dhe në mënyrë të pashpjegueshme, nuk kam asnjë fotografi me të, edhe pse para çdo ndeshjeje, të paktën një në dy të diela, kur na biente të luanim në fushën tonë, ishte gjithnjë një fotograf që na fiksonte në aparatin e tij. Gjovon e donim shumë, pasi ishte djalë fantastik. Fliste gegërisht, sigurisht, por ishte aq i mirë sa neve “nuk na biente në sy”.
Fillimisht, për një kohë të gjatë, ishte fare pa fjalë dhe i ndrojtur, por më pas u shkri me grupin, bënte e mbante shaka. Nuk prishte qejf me askënd dhe nuk përzihej në sherre që plasnin herë pas here mes nesh. Përkundrazi, bënte çmos që të qetësonte gjakrat. Kështu, këtë e kam menduar më pas, tipari që e shquante atë më së shumti ishte një ‘esprit de corps’, që e manifestonte në mënyrë të veçantë në fushën e lojës dhe në dhomën e zhveshjes.
Sikur të mos ishte bërë shkak Gjovoja, me siguri nuk do ta kisha dëgjuar fjalën “gegë” deri në fund të shkollës së mesme, sepse tekstet e lëndës së Historisë pastroheshin nga këto fjalë, ashtu si tekstet e Edukatës Morale apo edhe fjalorët. Ato pastroheshin prej fjalësh që cilësonin ose përshkruanin organe të gjendura në rrethinat e zonës pelvike të trupit të njeriut”,-shkruan publicisti i njohur Mustafa Nano për ish-futbollistin e madh të Besëlidhjes, Gjovalin Gega.
Maringlen ZHIVANI