Mbrojtësi Bradley Wood është pezulluar për gjashtë vjet nga futbolli aktiv, pasi është zbuluar se ai ka trukuar ndeshje.

Dënimi hyn në fuqi që nga 9 marsi 2018 deri më 8 mars 2024 pas kryerjes së 25 shkeljeve të Rregullores së Ndershmërisë dhe Rregullat e Basteve të FA.

Wood, 26 vjeç, u shpall fajtor nga Gjykata sportive në Federatën Angleze të Futbollit, pasi me dashje ai ka marrë karton të verdhë, për të përfituar nga bastet.

Mbrojtësi anglez u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen e FA Cup kundër Ipswich Town dhe Burnley.

Kompanitë e basteve dhanë provat, se “baste të pazakonta” dhe me shuma të mëdha ishin vënë për parashikimin, që Wood do të merrte karton të verdhë.

FA tha se shtatë vetë, duke përfshirë dy miq të ngushtë, vunë baste, që ai do të ndëshkohej me karton të verdhë.

“Integriteti i futbollit në Angli në të gjitha nivelet është me rëndësi të madhe dhe kjo është arsyeja pse FA, në partneritet me të gjithë autoritetet, është e angazhuar për të siguruar që loja të mbahet drejt”, thuhet në komunikatën e FA.

FA ka një skuadër dedikuar integritetit, duke përfshirë ish-hetuesit kriminalë, e cila është e ngarkuar posaçërisht për të hetuar çdo shkelje të supozuar të paracaktimit në rezultat në një ndeshje apo një kompeticioni.

Ky ekip punon ngushtë me Njësinë e Integritetit të Basteve të Sporteve të Komisionit të Lojërave, operatorët e basteve në Mbretërinë e Bashkuar dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, si Agjencia Kombëtare e Krimit, UEFA dhe FIFA për të ndarë të dhënat.

Fitimet e mundshme arritën në rreth 10,000 sterlina, por jo të gjitha u paguan. Wood, i cili tani luan për Alfreton Town, kundërshtoi të dyja akuzat, por pranoi 23 vepra të tjera të vënies së basteve.

Wood u pezullua për pesë vjet për veprat e paracaktimit të ndeshjeve dhe një vit tjetër pas pranimit të 22 akuzave për bast, për rezultatin e ndeshjeve dhe një akuzë për kalimin e informacionit.

Ai u gjobit me 3.725 sterlina si dhe u urdhërua të paguante shpenzimet dhe u pezullua deri më 8 mars 2024. /EDS/