Vllaznia ka zyrtarizuar ditën e sotme afrimin e rradhës në skuadër. Fjala është për Eslit Salen, që do jetë pjesë e kuqebluve për sezonin e ri. Mesfushori që u prezantua paraditen e sotme, në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet i gëzuar për këtë lëvizje ku premton maksimumin për ekipin e tij të zemrës.

Sala tha: “Jam i emocinuar që do jem pjesë e Vllaznisë në sezonin që vjen. Isha afër ndoshta edhe verën e kaluar, por nuk u konkretizua. Prandaj jam akoma më i gëzuar që do jem pjesë e ekipit, duke realizuar kështu një ëndërr timen. Kjo pasi do jetë hera e parë si profesionist që unë do luaj në Shqipëri. Pas 4 sezoneve në Maltë, me Valletan besoj se kam arritur një lloj pjekurie.

Pozicioni në fushë? Do luaj aty ku të ma kërkojë trajneri dhe ku ka nevojë ekipi. Unë gjithmonë kam mbuluar rolin e mesfushorit para mbrojtjes. Por jam aktivizuar në sezonet e fundit shpesh edhe si mbrojtës i djathtë apo qëndror. Besoj se nuk do jetë një problem, unë do i përshtatem skuadrës.

Objektivi? Të bëj sa më mirë së bashku me gjithë djemtë e tjerë. Premtoj maksimumin për Vllazninë ashtu si çdo shkodran. Përfaqësoj një ekip të madh dhe që gjithmonë lufton për gjëra të mëdha kështu që duhet të jem gjithmonë gati”.
Endri ÇINARI