Haris Lika nuk do të jetë më trajner i Veleçikut. Pas përfundimit të kontratës, ai ka mbyllur me konsensus punën me koplikasit, teksa u bashkua me ata vetëm në fillim të verës së kaluar.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Lika u shpreh se gjithçka është mbyllur miqësisht, ndërsa theksoi se pas mbarimit të kontratës, ai nuk ra dakord në disa pika, në takimin me kryetarin e Bashkisë së Koplikut, Tonin Marinaj. Tashmë, me interes mbetet për t’u parë e ardhmja e ish-trajnerit të Veleçikut, teksa opsionet për të nuk mungojnë.

“Gjatë takimit në fund të sezonit me kryetarin e bashkisë, z. Tonin Marinaj, nuk kam rënë dakord pas mbarimit të kontratës. Si rrjedhojë, kemi shkëputur marrëdhëniet me njëri-tjetrin.

Me z. Marinaj e kemi mbyllur miqësisht, duke i shtrënguar dorën njëri-tjetrit. Madje, e falënderoj për mundësinë e dhënë dhe i uroj suksese ekipit të Veleçikut sezonin e ri”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Veleçikut, Haris Lika.
Maringlen ZHIVANI