Veleçiku ka arritur një fitore të thellë në shifrat 6-0 ditën e djeshme përballë Internacional. Koplikasit morën një rezultat shumë pozitiv në garën për tu ngjitur në Kategorinë e Parë.

Një nga protagonistët e ekipit të drejtuar nga Haris Lika, ishte edhe Elvis Rrustemaj. Me dy golat e tij ai u bë pjesë e fitores së thellë të Veleçikut. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, lojtari i krahut flet për golat e shënuar, por edhe objektivat e skuadrës.

Rrustemaj u shpreh: “Shënova dy gola dje. Ishin gola të rëndësishëm për mua nga ana personale, por edhe për ndihmë ndaj skuadrës. E dominuam takimin nga fillimi në fund dhe të gjithë patjetër ishim përgatitur për fitore.

Objektivi i skuadrës ? Kemi vetëm një, që është ngjitja në Kategorinë e Parë. Besoj se kemi ndërtuar një ekip shumë të mirë dhe nuk kemi rival në këtë kategori.

Për mua personalisht është një ligë e panjohur pasi është hera e parë që luaj në Kategorinë e Dytë. Por, mendoj se do jemi shpejt në të Parën.

Ndeshja e rradhës ? Do jetë kundër Ades së Velipojës ku synimi si në çdo ndeshje tjetër është fitorja. Kjo për vetë objektivat që kemi”.

Endri ÇINARI