Vllaznia mori një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Skënderbeut në shtëpi. Ndeshja u vendos nga golat e shënuar nga Hoxhaj dhe Aralica, ndërsa tani shkodranët bashkohen me Kukësin me 23 pikë. I ftuar në emisionin “Fair Play”, trajneri i Vllaznisë lëshoi disa “kunja” për trajnerin e Skënderbeut, Memelli që pas ndeshjes u shpreh se Vllaznia fitoi prej gabimeve të tyre.

“Sot jemi të kënaqur me 3 pikë dhe dëshirojmë ta mbyllin vitin duke qenë të suksesshëm. Për mua çdo ndeshje është një sfidë e madhe dhe besoj se kemi mësuar shumë nga ndeshjet e kaluara dhe mbetet akoma shumë deri në fund. Duhet të përqendrohemi te ndeshjet e radhës dhe nuk duhet të mendojmë për shumë gjatë.

Duam që të ushtrojmë presion te skuadrat e tjera dhe deri tani skuadra duket mirë sesi shënojmë dhe sulmojmë. I mungon diçka Vllaznisë? Nuk e di, mendoj se këtë vit ka shumë konkurrencë të fortë. Po punojmë shumë dhe duhet të tregohemi modest se në futboll herë pas here duhet fat. Për mendimin tim ekipi duket në formën e duhur.

Çdo herë jam i sinqertë me lojtarët e mi dhe ndonjëherë lëndohem, por mendoj se kjo është mënyra e vetme që mund të mësojnë. Mund të ketë herë pas herë përplasje mes lojtarëve dhe trajnerit, por duhet të punojmë shumë dhe të përmirësohemi. Them se ne mësojmë prej aktivitetit tonë të mirë dhe aktualisht mbrojtja jonë është më e mirë se e sezonit të kaluar”.

Fitorja ndaj Skënderbeut? “Çdo ndeshje është e vështirë. Për mua ishte një fitore e merituar. Nuk mendoj se shënuam prej gabimeve të Skënderbeut dhe nuk jam dakort me deklaratat e trajnerit Memelli, por shënuam për meritat tona. Kemi patur 3 ndeshje brenda një kohë të shkurtër dhe kemi luajtur për shumë minuta me një lojtar më pak. Skënderbeu ka një ekip të mirë fizikisht dhe trajneri ka punuar shumë mirë.

Skënderbeu do të fitojë pikët dhe punoi shumë deri pas golit të dytë. Ne u përballëm me ta në mënyrë profesioniste. Kur jemi 1-0 do fillosh të mendosh për mbrojtjen, lojtarët e mi e bënë shmë mirë dhe nuk e lejuam, Skënderbeun të shënonte. Bëmë krosime të mira, mbrojtësit bënë shumë mirë dhe mbrojtën gjithçka e jam shumë i kënaqur nga paraqitja e tyre”.

Ngjeshja e kampionatit? “Për të ngritur skuadrën nuk është e lehtë. Për të arritur në majë kërkon kohë, lojtarët vijnë tek ne me pritshmëri të mëdha. Shumë ekspertë mendojnë se jemi pretendent për titull. Besoj se do të vazhdojmë me këtë ritëm për të arritur në vendin e parë”, u shpreh Brdariç./NEWSPORT/