✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Basania mori një barazim spektakolar në shifrat 3-3 ditën e sotme në transfertën e Kuçovës ndaj Naftëtarit. Protagonist i ekipit bushatas me një prej golave të shënuar ishte edhe Albert Mila. Me sulmuesin që gjeti sërish rrjetën dhe tashmë në kuotën e 3 golave është golashënuesi më i mirë i ekipit. Në një prononcim për “Shkodra Sport” numri “10-të” vlerëson pikën e marrë sot, teksa thekson se me pak kujdes e fat skuadra mund të kishte marrë pikët e plota. Ndër të tjera ai shprehet që golat e tij shkojnë gjithmonë për arritjen e objektivave të skuadrës.

Mila tha: “Ishte një ndeshje me të vërtetë e bukur nga të dy ekipet sot, e nisëm me gol të pësuar shpejt. Por, reaguam shumë mirë dhe kjo më jep pozitivitet. Sepse treguam karakter dhe luftë sportive ditën e sotme, që ndoshta na kishte munguar disi në ndeshjet e shkuara. Them se në fund ndoshta mund të kishim marrë edhe 3 pikët me pak fat.

Pse e them këtë? Sepse patëm shumë raste për gol dhe mund t’a kishim mbyllur ndeshjen shumë më para. E po ashtu goli i barazimit që pësuam erdhi si rrjedhojë e terrenit, që u shndërrua në favor për kundështarin. Pasi topi ngeci në ujë dhe nxorri jashtë kohe mbrojtësin dhe portierin tonë.

Përmirësime? Këto dy javë që do jemi pushim besoj se do na ndihmojnë për të korigjuar gabimet. Kjo sepse duhet të zgjidhim më thjesht disa situata që nuk janë edhe aq të kompikuara në fushën e lojës.

Goli? Dua të shënoj çdo herë dhe sa më shumë. Kjo për të ndihmuar skuadrën për të arritur objektivat e saj sezonalë”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”