✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Shënoi golin e tij të parë me Basanian ditën e sotme që prej debutimit me bushatasit. Ku në barazimin 3-3 ndaj Naftëtarit, Vildan Kaçubela e bëri “sefte” për edicionin 2025-26. Në fjalët e tij për “Shkodra Sport” pas këtij dueli, sulmuesi u shpreh i lumtur për golin dhe zhbllokimin e tij. Por, thekson se do ishte më i gëzuar nëse rrjeta do shërbente për 3 pikë në fund.

Kaçubela ka besim tek skuadra në duelet e ardhshme, duke qenë i sigurt që Basania do jetë e aftë për të luftuar për vendet e sipërme të tabelës.

Kaçubela tha: “Jam i lumtur për golin e shënuar sot dhe zhbllokimin tim. Ia dedikoj ekipit dhe të gjithëve tek Basania, që më kanë ndihmuar që nga dita e parë që kam ardhur këtu. Jam në një ambient ku ndihem shumë mirë dhe dua gjithmonë të performoj si duhet.

Do isha më i gëzuar nëse goli do shërbente për 3 pikë dhe jo vetëm 1. I kishim mundësitë tona për të marrë pikët e plota, por edhe mund të pësonim në fund. Besoj se reaguam mirë pas humbjes së fundit në shtëpi dhe treguam se kemi mundësi për më tepër.

Pushimi i kampionatit? Them se na bën mirë, pasi do na kthehen edhe disa futbollistë të dëmtuar që munguan sot. Unë kam besim tek kjo skuadër që mund të bëjë shumë më mirë dhe të luftojë për vendet e larta të renditjes. Thjesht duhet të kemi besim në forcat tona e të vlerësojmë çdo situatë siç duhet. Por, fillimisht duke vlerësuar dhe përmirësuar veten tonë”.