Dje ka shënuar golin e tij të parë si profesionist me Olimpiakos në Greqi. Fjala është për Andreas Ndoj që realizoi golin e parë në fitoren 5-0 të bardhekuqve ndaj Volos.
Për “Shkodra Sport” ai shprehet shkurtimisht në një prononcim për këtë gol. Mbrojtësi tregon ndjesitë dhe komplimentet që pati pas ndeshjes. E patjetër ka një dedikim të veçantë edhe për këtë gol.
Ndoji tha: “Si fillim faleminderit për urimin për golin e uroj të mos jetë vetëm i pari. Ishte një ndjesi e veçantë të shënoje me ekipin ku je rritur dhe zhvilluar si profesionist. Kjo është rrjeta ime e parë me skuadrën e parë e patjetër jam shumë i lumtur.
Unë dhe familja ime jemi me origjinë nga Shkodra, por personalisht kam lindur dhe rritur në Athinë. Ishte ëndrra ime në fillim të luaja me Olimpiakos e patjetër të shënoja, siç ndodhi dje. Ky është sezoni im i parë i plotë me skuadrën e parë dhe besoj se ka shkuar mirë, pavarësisht se ka vend gjithmonë për përmirësim.
Dedikim për golin? Patjetër i shkon familjes sime, që ka sakrifikuar për mua të jem ku jam sot. Çdo gjë shkon vetëm për ta”.
Endri ÇINARI