Superliga ka hyrë në një fazë të nxehtë, teksa skuadrat po luftojnë për arritjen e objektivave sezonal. Tirana kryeson kampionatin me 5 pikë më shumë se Partizani, ndërsa Egnatia renditet e 3-ta. Në mesin e tabelës pasi nuk kanë përmbushur pritshmëritë janë Teuta dhe Vllaznia.

Në vendin e tetë bie në sy Kukësi, sakaq klasifikimi mbyllet nga Bylis dhe Kastrioti. I ftuar në “Sport News” në “News 24” ishte trajneri i njohur, Bledi Shkëmbi.

“Vllaznia – Egnatia- Egnatia e meritoi fitoren. Të luash ndaj Vllaznisë është e vështirë. Egnatia ia doli të zvogëlojë shkodranët, sot mori 3 pikë shumë të vlefshme.

Tirana-Kastrioti – Është e vërtetë që fati është me më të mirin. Tirana ka bërë një ndeshje të mirë ndaj një rivali të fortë. Unë e pash ndeshjen me vëmendjen, pjesën e parë ua vështirësi jetën bardhebluve. Kastrioti për skuadrat që luajnë futboll të fortë, bëhet agresiv. Është edhe meritë e tyre, gjithashtu ndikon edhe fati.

Fitoret radhazi të Tiranës- Unë mendoj që duhet të kesh shumë komponent që të marrësh këto rezultate. Tirana, edhe pse pati disa mungesa, arrin të fitojë dhe të mbajë vendin e parë. Ka gjashtë fitore radhazi dhe është diçka pozitive.

Mendoj se meritojnë komplimente të gjithë. E kam thënë edhe më përpara, Tiranën e shikoj të qetë dhe serioze. Patjetër që ka të bëjë dora e trajnerit. Grupi që ka ndikon, ka të bëjë dora e Presidentit.

Dueli në distancë me Partizanin- Zakonisht skuadrat apo trajnerët thonë që është ndeshja e radhës më e rëndësishmja. Ndeshjet e radhës janë shumë të rëndësishme. Derbi varet edhe nga ana psikologjike, varet nëse shkon kur ke fituar apo humbur. Mendoj se të dyja kanë ndeshje të vështira.

Kastrioti- Çdo skuadër merr atë që meriton. Trajneri Çela është më i përshtatshmi për këtë skuadër. Krutanët shpeshherë na kanë dhënë emocione si te ndeshja e sotme me Tiranën” – u shpreh Shkëmbi.