Pas shumë vitesh vuajtje, Besëlidhja më në fund “merr frymë” lirshëm. Nga kategoria e dytë ku ndodhej prej vitesh, në sezonin e ri ajo do ta shohë veten në kategorinë e parë dhe jo thjesht si “vizitor” sepse objektivi i lezhjanëve do të jetë Superiorja.
Dhe një meritë jashtëzakonisht të madhe në gjithë këtë transformim ka padyshim presidenti Pjerin Fushaj. E mori drejtimin e klubit verën e shkuar dhe brenda pak muajsh bëri atë që ndoshta as vetë lezhjanët nuk e kishin menduar. Një ndryshim rrënjësor në të gjitha drejtimet dhe mbi të gjithë duke ndërtuar një Besëlidhje shumë solide në fushën e lojës.
Pikërisht për gjithë këtë kontribut, një nga tifozët e skuadrës së Besëlidhjes ka bërë një propozim shumë interesant me një postim në Gazeta “Shkodra Sport”: Dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Lezhës për Pjerin Fushajn. Për këtë biznesmen me origjinë nga Shkodra e që jeton në Tiranë, por që tashmë Lezhën dhe Besëlidhjen i ka shumë për zemër, teksa premton se investimet e tij nuk do të ndalen këtu.
“Pjerin Fushaj duhet të shpallet “Qytetar Nderi” i qytetit të Lezhës, pasi me mund dhe dëshirë për futbollin, arriti ta çojë Besëlidhjen aty ku i takon. Urime president, Zoti të bekoftë!
Unë që po të shkruaj, jam ndër tifozët më të zjarrtë të Besëlidhjes, e kam ndjekur në të gjithë Shqipërinë. Edhe pse jam larg, shpirti dhe zemra gjithmonë rrahin për Besëlidhjen e Bicit, Ramës, Dedës, Haskut, etj. Uroj që ta çosh Besëlidhjen në majat e futbollit shqiptar. Një thirrje edhe për Bashkinë e Lezhës e cila duhet të ndihmojë në realizimin e ëndrrave tuaja për Besëlidhjen. Edhe njëherë, urime president”
Besëlidhja tunjatjeta,
me ty do jena sa t’jet jeta,
do tundim shtylla e rrjeta”- shkruan tifozi lezhjan.



