Bylis merr një fitore me shumë vlerë në objektivin e saj për mbijetesë teksa ka mundur 2-0 Teutën dhe tashmë edhe kjo e fundit nuk e sheh veten shumë larg “zonës së ftohtë” dhe në tre javët e fundit do ta ketë jo pak të vështirë të sigurojë qëndrimin.
Ndeshja ka nisur me gol që në minutën e tretë kur Emini arriti ta dërgonte topin në rrjetën e portë durrsake, duke përfituar edhe nga një pakujdesi në vendosje e mbrojtësve miq. Në minutën e 57-të do të shënonte Zogos për Teutën por goli që fillimisht u konsiderua i rregullt nga Enea Jorgji, u anullua pas sinjalizimit të sistemit VAR për pozicion jashtë loje.
Ndërkohë në minutat shtesë të ndeshjes, ballshiotët do të shënonin edhe golin e dytë pas një kundërsulmi të shpejtë dhe Camara e dërgoi topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Selmani.
Përfundimisht 2-0 për Bylis që ngjitet në kuotën e 35 pikëve, ndërkohë që Teuta mbetet prej disa javësh me 38 pikë duke qenë edhe ajo tashmë e rrezikuar. Sfida e javës së ardhshme me Tiranën mund të vendosë shumë gjëra për të.
Bylis 2-0 Teuta
(Emini 3′, Camara 95′)


