Nga Endri ÇINARI

Ekipi i Basanias që militon në Kategorinë e Dytë arriti një fitore plot vlera në javën e tretë të kësaj lige ditën e shtunë. Ku skuadra bushatase mposhti me rezultatin 3-2 Luzin 2008.

Një duel plot emocione nga fillimi në fund e në një prononcim për “Shkodra Sport” ka folur edhe autori i golit të parë të takimit, Taulant Nikshiqi. Mbrojtësi u ndal tek fitorja që sipas tij ishte shumë e rëndësishme. E teksa ndalet edhe tek rrjeta personale dhe vazhdimësia e skuadrës.

Nikshiqi tha: “Arritëm një fitore përballë një prej ekipeve ndoshta më të forta të kampionatit. Besoj se treguam një futboll të mirë kundër Luzit, pavarësisht se edhe ne kishim gabimet tona në këtë ndeshje. Të cilat duhet t’i përmirësojmë në të ardhmen për të mos u përsëritur. Këto 3 pikë ishin shumë të rëndësishme pasi luanim në fushën tonë e nuk mund të gabonim sërish.

Moral? Jo vetëm moral, por edhe përgjegjësi për të ecur përpara. Skuadra besoj se ka ardhur në rritje që nga ndeshja e parë me Besëlidhjen. Tashmë duhet krijuar një lloj vazhdimësie duke nisur që nga ndeshja e javës që vjen me Adriatikun, ku skuadra do kërkojë sërish fitoren.

Goli i parë sezonal? Jam i gëzuar që shënova, por akoma më shumë që goli shërbeu për 3 pikët. Dedikimin e kësaj rrjete e kam për familjen time. E ndërsa po ashtu jam i lumtur që hapa llogarinë e golave në kampionat për Basanian. Penalltitë janë të “miat” (qesh) dhe bëra detyrën duke e dërguar topin në rrjetë”.