Vildan Kaçubela u konfirmua ditën e djeshme si një futbollist i ri i skuadrës së Tërbunit. Sulmuesi shkodran që ka shkëlqyer në sezonet e fundit me Murlanin dhe Aden duke shënuar shumë gola, tashmë në sezonin e ri do jetë pjesë e pukjanëve.

Për “Shkodra Sport” ai e cilëson këtë si një lëvizje të duhur dhe se tek Tërbuni këtë sezon pretendimet janë serioze.

Kaçubela tha: “Do jetë një eksperiencë e re për mua këtë sezon sepse do jem pjesë e Tërbunit. Dua të falenderoj drejtuesit që më kanë besuar duke më propozuar afrimin në këtë skuadër dhe mendoj se kjo ishte lëvizja e duhur për mua. Tërbuni është një ekip i traditës në Kategorinë e Parë, e madje ka qenë edhe pjesë e Superiores para disa vitesh.

Tashmë është detyra jonë që ta ngjisim edhe njëherë ku i takon. Dhe unë këtu shoh një projekt shumë serioz dhe ambicioz sepse drejtuesit duan ta ngjisin sa më shpejt ekipin në Kategorinë e Parë. Unë ndihem gati dhe do jap më të mirën siç kam bërë edhe në skuadrat e tjera ku jam aktivizuar. Shpresoj që të jem i aftë të ndihmoj skuadrën me golat e mi.

Stërvitja ? Besoj se do nisë me fillimin e javës tjetër. Skuadra po riformatohet, por besoj se lojtarë cilësor të sezonit të shkuar nuk do i lëshojë. Po ndërtohet një ekip me djemë që duan të luajnë dhe të bëjnë mirë”.
Endri ÇINARI