Në këtë javë të Kategorisë së Dytë, Ada e Velipojës mori një barazim në shifrat 1-1 në duelin ndaj Shënkollit.
Trajneri i Adës, Arbër Shytani, në një intervistë për “Shkodra Sport”, u shpreh i kënaqur, por nga ajo që ekipi i tij tregoi në fushë, duhet të merrnin më shumë. Duke folur për ndeshjen në fjalë, ai pranon se ishte një transfertë e vështirë, teksa shprehet se faza e dytë ka filluar shumë më pozitive për ekipin e tij.

Poashtu, Shytani theksoi se gjithashtu ekipi po rritet dhe se afrimet që ata kanë bërë, po rezultojnë pozitive për skuadrën velipojake, që drejtohet prej tij.

“Në qoftë se, do ta gjykoj si një ndeshje në transfertë, në një fushë të vështirë, atë ndaj Shënkollit, sigurisht që do jem i kënaqur, por nga ajo që ne treguam në fushë, mendoj se me pak kujdes dhe drejtësi, ne duhet të merrnim më shumë, por gjithsesi e konsideroj rezultat pozitiv.

Sigurisht që, faza e dytë ka filluar shumë më pozitive për ne. Kjo për faktin, sepse tashmë gjërat i kemi më të qarta. Ekipi mendojmë se po rritet. Gjithashtu, edhe ato afrime që ne kemi bërë po rezultojnë pozitive për ne.

Për vazhdimësinë, mendoj se duhet të punojmë çdo ditë e më shumë për t’u përmirësuar dhe për të marrë rezultate në vazhdimësi, duke krijur stabilitet.

Nuk mund të rritemi në renditje për tre javë kampionat, por fakti që në tre javë, kemi dy rezultate pozitive, na jep besimin që jemi në rrugën e duhur për t’u ngjitur gradualisht në renditje.

Padyshim që, jemi të gjithë të motivuar, që nga stafi dhe sportistët, sepse të gjithë jemi të bindur se ky nuk është vendi që meriton Ada. Ashtu siç e dimë se ka vetëm nje rrugë për t’u ngjitur, që është puna me përkushtim dhe seriozitet maksimal nga të gjithë”-thotë ai.

Ndër të tjera, trajneri i Adës, Shytani, flet edhe për ndeshjen e rradhës ndaj Internacionalit, të cilin do ta presin në shtëpinë e tyre në fundjavë.

“Për ne ndaj Internacionalit, është ndeshja e rradhës, duke i dhënë vlerësim maksimal, ashtu si çdo kundërshtari, pasi vetë pozita jonë në renditje, nuk na lejon që të mos e vlerësojmë maksimalisht çdo ndeshje”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Adës, Arbër Shytani.
Maringlen ZHIVANI