Ditën e sotme një nga lëvizjet në merkato nga kampionati ynë ishte kalimi i Klevis Dragajt tek Lokomotiva e Zagrebit. Sulmuesi me origjinë nga Bajza e Malesise se Madhe, por i rritur tek akademia e Shkëndijës së Tiranës e po ashtu së fundmi tek Partizani do jetë tashmë pjesë e futbollit kroat.

Për “Shkodra Sport”, 20-vjeçari është shprehur në një prononcim të tijin. Duke e cilësuar si emocionuese këtë kalim në Kroaci. Në fjalët e tij ai shpreh edhe vlerësim për Partizanin ku ka marrë një eksperiencë të konsiderueshme që tashmë do përpiqet akoma më tepër ta zhvillojë me Lokomotivën e Zagrebit.

Dragaj tha: “Ishte një lëvizje që po punohej prej disa kohësh nga menaxherët dhe bashkëpuntorët e mi. Unë jam i lumtur dhe shumë i emocionuar sepse do jem pjesë e Lokomotivës së Zagrebit. Një skuadër që beson shumë tek elementi i ri, ku uroj të shpreh gjithë potencialin tim.

Dua të falenderoj edhe Partizanin për këto vite të kaluara aty. Ku pavarësisht se nuk kam marrë aq shumë minuta, ishte një eksperiencë nga ku mësova shumë nga futbollistë kampionë e nga trajnerët që më drejtuan. Tani jam gati për një hap tjetër në karrierën time. Që ndoshta mund të më ndihmojë shumë në të ardhmen time.”
Endri ÇINARI