Një takim interesant është zhvilluar sot në Kategorinë e Dytë ku skuadrat e Ades dhe Murlanit kanë qenë përballë. Një duel me aromë derbi që ka parë si fitues velipojakët në minutën e 95-të të ndeshjes me shifrat 2-1.

Por duket se 90 minutëshi ka pasur ngjarje të shumta pasi Murlani ka luajtur me 9 lojtarë për shumicën e ndeshjes. Trajneri i këtyre të fundit, Altin Xhahysa i kontaktuar nga “Shkodra Sport” është shprehur shumë i zhgënjyer për arbitrin dhe mënyrën si e trajtoi ndeshjen, madje duke e cilësuar kamikaz.

Xhahysa tha: “Nuk kam fjalët e duhura për të shprehur masakrën që bëri sot arbitri në ndeshje. Gjithçka dukej se ishte si me porosi për të dëmtuar skuadrën tonë nga faktorë të jashtëm.

Arbitri ishte totalisht kundër nesh sot, duke na nxjerrë dy lojtarë me të kuq, ndër ta dhe portierin Selimaj në një periudhë shumë të shkurtër kohore.

Futbollistët tanë janë goditur gjatë gjithë ndeshjes me grushta nga kundërshtarët. Ngjasonte si ndeshje boksi dhe jo futbolli dhe ku po favorizohej hapur njëri ekip. Për këtë kemi edhe pamje filmike që do i shohin të gjithë së shpejti.

Por di të them se arbitri ishte një kamikaz që vendosi vetë fatet e një takimi që edhe ashtu si na dëmtuan me qëllim, u vendos në minutën e fundit. Pasi nëse do luhej ndershëm rezultati do ishte ndryshe, por po luhet pisët në fushë dhe jashtë saj”.
Endri ÇINARI