Pëllumb Pipero mendon se stërvitjet në futboll duhej të kishin nisur më shpejt. Mjeku infeksionist pohon se zgjedhja për të mos bërë tamponë për lojtarët para se të rinisë sezoni më 3 qershor është normale.
Në intervistën për “Panorama Sport”, doktori i njohur saktëson se bërja e tamponëve nuk jep garanci 100 për qind se nuk ka lojtarë të infektuar. Ai është gjithashtu i mendimit që të mos ketë izolim të gjithë skuadrës nëse një futbollist mund të rezultojë pozitiv me “COVID-19” pasi të ketë rinisur sezoni.
Doktor Pipero sugjeron analiza shëndetësore të plota para fillimit të garës dhe i mbetet besnik idesë për reduktimin e minutazhit të ndeshjeve, të paktën në 2-3 javët e para.
“Unë sugjeroj analiza mjekësore para fillimit të kampionatit. Analiza gjaku, urine dhe tensioni për të kontrolluar rrahjet e zemrës. Kjo e fundit duhet të bëhet shpesh. Jo më kot kam sugjeruar që edhe minutazhi i ndeshjeve të reduktohet.
Po ndoshta duke shkurtuar pjesët e lojës me nga 5 minuta dhe në total të luhen 80 minuta. Ose edhe më pak. Por varet a e lejon FIFA një gjë të tillë. Ideja ime është që të paktën në dy tri ndeshjet e para, derisa lojtarët të kapin ritmin, të mos luhen minutat e plota.