Kombëtarja u-19 e Shqipërisë arriti të merrte një fitore në shifrat 1-2 kundër Malit të Zi ditën e djeshme. Takimi miqësor mes dy vendeve, shikoi si fitues kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri shkodran, Armando Cungu. Por jo vetëm rezultati, por edhe loja e mirë e Shqipërisë ishte ajo që ra në sy.
Një nga futbollistët që ishte pjesë e formacionit kuqezi ishte edhe Albion Kurbasha. Djaloshi 17-vjeçar, që aktivizohet në Suedi me ekipin e Bjormmapojkarna ishte një nga më të dalluarit në fushë. Lojtari me origjinë nga Shkodra dhe i formuar në ekipet zinxhirë të akademisë Vllaznia prej më shumë se dy vitesh është transfesuar në shtetin skandinav, ku edhe po luan futboll.
Pavarësisht largësisë, ai nuk i ka humbur vëmendjes së skautëve të kombëtares e po ashtu trajnerit Cungu. Që e ka bërë pjesë të kombëtares së tij. Kurbasha njihet si një futbollist që aktivizohet në krahët e mesfushës apo edhr sulmit. Me një goditje të saktë me të majtën, ai shihet si një element i së ardhmes në ekipet kombëtare.
Shqipëria u-19 do zhvillojë edhe një tjetër takim miqësor nesër kundër Malit të Zi. Tashmë ndeshja do luhet në Shkodër, në “Loro Boriçi” në orën 17:30. Një ndeshje që pritet të ngjallë edhe interesin e tifozëve shkodranë në shkallët e stadiumit.
Endri ÇINARI