Futbollistët shkodranë, por jo vetëm, përveç paraqitjeve të mira në kampionatet ku marrin pjesë, po tentojnë të firmosin edhe me ekipe të tjera jashtë Shqipërisë. Tre prej tyre prej ditës së nesërme, do të nisin provën në Itali tek klubi i njohur i Torinos.

Kështu, bëhet fjalë për dy futbollistë të Djelmnisë Shkodrane, pikërisht Gjorgjino Zhuja dhe Erman Pishtari dhe një tjetër të Partizanit, Ersi Qamili. Ata janë nisur ditën e sotme drejt Italisë, të shoqëruar me trajnerin e Djelmnisë Shkodrane, Fatmir Marku.

Zhuja dhe Pishtari janë të datëlindjes 2006 dhe 2008, ndërsa Qamili është i vitit 2007, teksa që të tre këta kanë spikatur me paraqitjet e tyre. Këto paraqitje të mira kanë zgjuar interesin e menaxherëve të ndryshëm dhe falë bashkëpunimit me presidentin e Djelminsë Shkodrane, Bernardin Kulla, ia kanë sugjeruar drejtuesve të Torinos.

Prova do të zgjasë disa ditë dhe shpresohet që këta futbollistë ta kalojnë me sukses. Paraqitjet e tyre gjatë kampionatit, kanë qenë shumë pozitive, megjithatë një vendim përfundimtar për fatin e tyre te Torino, pritet të jepet në ditët e ardhshme.
Maringlen ZHIVANI