Gjërat tashmë janë thuajse të qarta: Agron Çela pretendon të bëhet president I Vllaznisë. Ai e ka bërë publike këtë kërkesë mbrëmjen e djeshme në një ceremoni të sportistëve më të mirë organizuar pikërisht në Grand Hotel Europa që është dhe pronë e tij. “Mendoj se të gjitha gjërat thuajse janë shoshitur.

Me Bashkinë pothuajse është arritur akordi dhe ka mbetur vetëm mbledhja e Këshillit Bashkiak që do zhvillohet pasnesër (nesër) për ta sanksionuar këtë gjë. Unë pretendoj të jem presidenti I ardhshëm I Vllaznisë”. Dilema nuk ka më. Edhe ajo që ekzistonte për daljen e biznesmenit tjetër, pjestar të këtij grupi- Xhevdet Amuli si president, ka rënë poshtë. E ka konfirmuar vetë Çela, njeriu më I interesuar për këtë gjë. Pasditen e djeshme ka patur jo pak bisedime dhe kontakte të grupit të biznesmenëve me justistë, anëtarë të Këshillit Bashkiak por edhe me nënkryetarin e Bashkisë Ritvan Troshani. Diskutimet kanë qenë më së shumti për pikat e kontratës që do firmoset me insititucionin që ka në pronësi klubin e futbollit.
Lëshimi. Grupi prej 5 biznesmenëve me në krye Agron Çelën duket se e ka bërë lëshimin e parë. Ato siç kemi bërë të ditur, kanë kërkuar që ta administrojnë vetë klubin tani e tutje duke e anashkaluar pozicionin e administratorit që aktualisht mbahet nga Fatos Gjyrezi. Por fakti që Bashkia do vazhdojë të financojë këtë klub me një shumë të caktuar financiare, ka bërë që ky institucion të mos heqë dorë nga një post I tillë. Çela & Co kanë bërë në këtë mënyrë lëshimin e parë teksa është rënë dakord që Gjyrezi të vazhdojë të mbajë postin e administratorit dhe do kontrollojë paratë që do hedhë Bashkia. Por nga ana tjetër, pas këtij lëshimi, biznesmenët kanë kërkuar që paratë të cilat ata do hedhin tek Vllaznia t’I administrojnë vetë. Premtimin për këtë e kanë marrë dhe në këtë mënyrë, në njëfarë përqindje, palët kanë mbetur të kënaqura me akordin e arritur.
Posti I Çelës. Ka shumë paqartësi për postin që do mbajë Agron Çela. Nga sa merret vesh, ai do zërë vendin e Ritvan Troshanit si kryetar I Bordit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere. Në njëfarë mënyre, ky post do jetë I njëllojtë me atë të presidentit. Për t’I bërë të gjithë këto lëvizje dhe vendosje emrash në strukturë, do jetë mbledhja e nesërme e Këshillit Bashkiak. Vetë Çela mbrëmë për “Shkodra Sport” është shfaqur optimist për një mbyllje me sukses të gjithë kësaj lëvizje. “Presim vetëm aprovimin e Këshillit Bashkiak për të nisur menjëherë nga puna. Nuk mendoj se ka gjëra që do të prishin planet tona sepse kemi dëshirë të bëjmë diçka të mirë në krye të Vllaznisë”. Ai nuk ka dashur të pranojë ta quajmë që mbrëmë presidenti I ri I Vllaznisë. Ka thënë se duhet pritur derisa kjo të vendoset zyrtarisht edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, megjithatë mund të quhet punë e kryer. Agron Çela do jetë presidenti I ri I klubit shkodran, për t’u rikthyer edhe njëherë pas 6 vitesh e gjysëm në një funksion të tillë.
Gjergj KOLA