Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë gati një plan pune për rifillimin e aktiviteteve futbollistike në vend, me qëllimin që të vazhdojë garën dhe të mbyllë sezonin sipas kërkesave të UEFA-s më datë 30 korrik. Por protokolli i ndërtuar për rifillimin e sigurt të aktivitetit, I kopjuar nga modeli që po përdoret në Gjermani, parashikon që vetëm për Kategorinë Superiore, nevojiten reth 4 mijë tamponë për koronavirusin.

Sipas draft-rregullores të FSHF-së, në çdo ditë ndeshje duhet që skuadrat të dorëzojnë rezultatet e testeve të koronavirusit të lojtarëve dhe stafit, në mënyrë që të ketë sigurinë absolute se mes atyre që zbresin në fushë nuk do të ketë të infektuar. Duke marrë për bazë një numër prej 30 personash për skuadër mes lojtarësh dhe stafit, praktikisht për çdo javë të kampionatit duhen kryer 300 teste.

Me një llogari të thjeshtë, vetëm për të mbyllur kampionatin e Kategorisë Superiore, duhen kryer 3000 teste për lojtarë dhe staf. Po të llogaritim këtu edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë që kanë mbetur, duke shtuar testet për gjyqtarët, zyrtarët e FSHF apo personat e tjerë si punonjës stadiumesh, etj., që janë në kontakt direkt me lojtarët në një ditë ndeshje, atëherë numri i testeve arrin në 4000 deri në mbyllje të sezonit 2019-2020. Dhe kjo, vetëm për Kategorinë Superiore.

Nëse zbritet në Kategorinë e Parë, ku numri i skuadrave është, atëherë numri i testeve bëhet relativisht shumë më i lartë. Rifillimi i Kategorisë së Dytë e futbollit të femrave do ta rriste në mënyrë drastike, ashtu si edhe futbolli i të rinjve dhe fëmijëve. Rifillimi i këtyre kampionateve pa të njëjtat kushte e kërkesa higjeno-sanitare, do të ishte rrezikimi i jetës së pjesëmarrësve në lojë.

Në planin e FSHF nuk saktësohet në asnjë pikë se kush do të përballojë koston e lartë të këtyre mijëra testeve, ku do të gjenden dhe ku do të kryhen ato për të garantuar që futbolli shqiptar të rifillojë me sigurinë absolute siç pretendon institucioni që drejton sportin në vendin tone në protokollin që ka ndërtuar. /vipsport/