Humbja minimale 1-0 ndaj AEL-it në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës është konsideruar si rezultat i mirë në ambientin shkodran.
Të paktën kështu mendojnë vetë drejtuesit e klubit, lojtarët, por edhe trajneri Tomas Brdariç, i cili nuk ngurroi të deklaronte pas ndeshjes në Qipro se është 100 % i bindur për përmbysjen në takimin e kthimit në Shkodër, më 29 korrik.
Por, pse në kampin kuqeblu ka kaq shumë besim, në një kohë që duhet të fitojnë me shifrat 2-0 brenda 90 minutave për të arritur kualifikimin?!
Së pari, në Shkodër ndihen favoritë në një stadium të tejmbushur si “Loro Boriçi” dhe shembulli më i mirë është ndeshja ndaj Shiroki Brijegut, ku u duhej fitore 3-0 dhe ia dolën. Së dyti, të besuarit e Bradriçit janë të bindur se mund të shënojnë të paktën një gol për ta çuar takimin në shtesë.
Së treti, kuqeblutë mendojnë se qipriotit e AEL Limasolit nuk janë ekip i pathyeshëm apo i frikshëm, por thjesht një skuadër më e mirë se Shiroki Brijeg, por që Vllaznia i ka kualitet për ta kaluar.
Gjithsesi, këtë herë duhet një kujdes maksimal, pasi qipriotit kanë cilësi në fazën ofensive dhe zor se falin raste si ato të boshnjakëve.