Garet Bejl ka luajtur vetëm 14 ndeshje në këtë edicion me fanellën e Real Madrid, por sipas menaxherit të tij, as nuk ka ndër mend të largohet nga klubi spanjoll. Ndonëse lojtari nuk ka fshehur shpesh pakënaqësinë e tij me gjeste nga më të ndryshmet në pankinë gjatë ndeshjeve, meqë Zidan nuk e aktivizonte, ai nuk e mendon veten larg Real Madrid, për sa kohë që paguhet mirë nga klubi.
Menaxheri i tij, Xhonatan Barnet, konfirmoi sot për BBC se nuk ekzistonte hipoteza e largimit edhe pse ofertat nuk mungonin.
“Garet është në rregull, ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij. Atij i pëlqen të jetojë në Madrid dhe nuk do të shkojë askund tjetër. Ai është në formë po aq sa çdo lojtar tjetër në ekip, gjithçka është në dorën e trajnerit Zinedin Zidan.
Sigurisht që ka pasur shumë interes, por vështirë se ndonjë klub në botë mund të përballojë kontratën e tij. Sigurisht, nuk është diçka e mirë që ai nuk është pjesë e ekipit të Real Madrid për momentin, por ai nuk do të largohet”, tha menaxheri.
Situata e Bejl lidhet direkt me atë të Zinedin Zidan. Një nga arsyet e largimit të Zinedin Zidan dy vite më parë ishte pikërisht dëshira e Florentino Perez për të mbajtur me çdo kusht uellsianin. Verën e kaluar Zidan u përpoq në të gjithë mënyrat të largonte futbollistin por ai refuzoi çdo ofertë, edhe ato milioneret nga Kina. /vipsport./