Pas humbjes dramatike që pësoi në minutat e fundit, trajneri i Kukësit, Skënder Gega bëri analizën e tij pas ndeshjes në emisionin “TI BO GOL”. Ai nuk e fshehu dëshpërimin për rezultatin, si dhe nuk i kurseu kritikat për ekipin e tij.

“Në futboll ka drama gjithmonë, por me thënë të drejtën pjesa e parë ishte shumë shumë e keqe. Nuk e prisja që të futeshim në këtë presion në pjesën e parë, pa i hequr meritën Shkodrës, por luajtëm shumë hapur. Në pjesën e dytë luajtëm shumë mirë dhe ky do të jetë edhe modeli jonë. Mund të mbaronte ndryshe, por futbolli është i tillë. Kemi punuar me mbrojtësat e qendrës që të jenë të vëmendshëm, por një mungesë vëmendjeje në të qindat e sekondës dhe ndëshkohesh.”

NDESHJA- “Ndeshja ishte përgatit për një Vllazni tjetër. Ne përdorëm një sulmues që bën disa pozicione. Jam shumë i kënaqur me performancën e tij. Grupi mund ta ndihmojë, pasi ai është shumë premtues dhe do të na ndihmojë shumë. Megjithatë, ne flasim për lojë grupi këtu, si në pjesën e dytë, mund të ndëshkonim Vllazninë, por nuk mundëm dhe pësuam në minutën e fundit.”

VËSHTIRËSIA E STARTIT- “Është aq i vështirë sa ishte për Vllazninë në ndeshjen me Erzenin që e nisi me humbje. Ky është futbolli, as java e parë e as e dyta nuk do të na japi kampionatin. Pikët janë të rëndësishme, por do të shohim gjërat që duhet të rregullojmë. Mungojnë edhe 34 javë dhe është ende shumë shpejtë për të dalë në konkluzion.”