Kampionati shqiptar i futbollit do jetë pushim këtë fundjavë. Kjo për shkak të angazhimit të kombëtares shqiptare që hap fushatën kualifikuese ditën e hënë.

Takim që do jetë i vlefshëm për kualifikimin në Euro 2026 dhe që do luhet në transfertë kundër Polonisë. Për këtë arsye çdo nivel i futbollit në vendin tonë do jetë pushim këtë javë.

Patjetër ky pushim ndoshta vjen në momentin e duhur për ekipin e Vllaznisë. Kjo për disa arsye, si fillim duke parë formën e dobët sportive që po kalojnë shkodranët. Ku nuk njohin fitore në kampionat prej thuajse dy muajsh. E në një farë mënyre kjo javë mund të shërbejë si qetësim dhe reflektim për kuqeblutë.

Po ashtu ndërrimi i trajnerit, pasi Mirel Josa u largua pas ndeshjes me Laçin, ku ekipi u mposht 2-0. Në krye të pankinës tashmë do jetë Auron Miloti e po ashtu si krah i tij i djathtë do jetë edhe Vioresin Sinani. Dyshja shkodrane pavarësisht se kanë qenë pjesë e ekipit që në fillim, do duan kohën e tyre për të aplikuar idetë mbi skuadrën. Dhe se si do funksionojë skuadra deri në fund të këtij edicioni.

Edhe dëmtimet e shqetësimet e disa futbollistëve kanë qenë të pranishme. Ku edhe në ndeshjen e fundit ndaj Laçit, mësohet se zëvendësimi i Hakajt erdhi nga një shqetësim.

Megjithatë mbrojtësi nuk rrezikon për javët në vijim. Për këto arsye, ky pushim vjen në momentin e duhur për ekipin kuqeblu që duhet të reagojë në këtë fund të sezonit për të plotësuar objektivat e vendosura në fillim.
Endri ÇINARI