Xhuliano Skuka e ka nisur këtë sezon në mënyrën të mirë duke shënuar 5 gola në 9 ndeshjet e fazës së parë dhe duke u renditur i dyti në garën e golashënuesve, pas Xhixhës.

Kjo statistikë e fut dibranin në listën e “pykave” më të mira të epokës “Demi” te Partizani. Ai u ka dhënë më shumë se gjysmën e pikëve me golat e tij të kuqve, teksa me siguri Xhulio nuk do të mjaftohet me kaq, por do të vijojë të përmirësojë shifrat e tij, që e kanë bërë një më të mirët e Superiores.

NË GJURMËT E EKUBANIT – Qendërsulmuesi nga Gana ka qenë një nga lojtarët më të mirë të huaj, që ka zbarkuar në vitet e fundit. Në sezonin 2016-2017 ai shënonte plot 17 gola në Kategorinë Superiore dhe e niste sezonin me statistika identike me Skukën në këtë sezon.

Ashtu si dibrani, sulmuesi i Xhenoas shënonte 5 gola në fazën e parë të kampionatit dhe tregonte qartë se më në fund te Partizani kishin importuar një sulmues të madh. Skuka me siguri do të kënaqej nëse në karrierë do të ndiqte hapat e ganezit, që ka bërë ngjitje të madhe në karrierë duke luajtur në Superligën turke dhe së fundmi në Serinë A.

SUKAJ – Vetëm Sukaj mbetet i pakapshëm për Skukën. Shkodrani luante me Partizanin në sezonin 2015-2016 dhe e niste sezonin me plot 7 gola në 9 ndeshje, çka përbën edhe rekordin e dekadës së fundit pas fazës së parë.

Sukaj e mbyllte me 18 rrjeta atë edicion të Superiores. Përveç shkodranit, Skuka i ka parakaluar të gjithë të tjerët, përfshirë sulmues si Zhunior, Raçiç apo Memelli, që kanë lënë mjaft gjurmë.