Eridon Qardaku është një nga lojtarët që po dallon në ofensivën e skuadrës së Bylisit në këto takimet e para zyrtare të vitit 2021. Qardaku është një lojtar qe luan nga e majta e sulmit, ndërsa provoi që te luante si titullar në Ballsh që në sezonin e shkuar.

Atmosfera në sfidën prag-Partizani duket optimiste në Ballsh, me skuadrën që tashmë po merr ngarkesa dhe me grupin që po harmonizohet për të përballuar ndeshjet e radhës.

Në Ballsh, duket se nuk pajtohen me këto pozita, prandaj edhe kanë filluar që t’i bëjnë llogaritë ndryshe dhe këtë mendim, ka edhe shkodrani Eridon Qardaku, një nga me të spikaturit e mallakastriotëve dhe lojtar qe ka veshur edhe fanellën U-21, falë aktivizimit me ballshiotët.

Në prononcimin që jep për “Panorama Sport”, Eridon Qardaku thotë se Bylisi do të guxojë për më shumë në pjesën e dytë të kampionatit.

SEZONI – “Ka qenë një sezon i vështirë në aspektin personal për mua, sepse kam pësuar dy dëmtime radhazi dhe një futbollist, e ka sfidën më të vështirë. Megjithatë, ia kam dalë dhe ky 2021, ka nisur mirë për mua sepse po luaj. Trajneri po më jep besimin, por më mungon goli dhe nuk kam pasur shumë fat, edhe pse e kam kërkuar në të gjitha ndeshjet dhe i jam afruar shumë”.

PARTIZANI – “Personalisht, dua që të shënoj gol në këtë ndeshje dhe ta fitojmë sepse e luajmë në fushën tonë. Janë shumë ndeshje dhe pikë në lojë dhe për 2-3 ndeshje me një ecuri të mirë, rikuperojmë shumë dhe ndryshojnë pozitat tona. Ky është qëllimi ynë, duke filluar kthesën ndaj Partizanit.

E dimë se kanë kualitet në ekip, por ne bëjmë llogaritë tona. I respektojmë, por edhe vjet ndaj tyre kemi luajtur shumë mirë me lojë dhe kemi marrë rezultate, në Ballsh dhe në Tiranë. Kështu që këtë ndeshje, duhet ta fitojmë sepse vlen shumë moralisht edhe për kalendarin që ne kemi”. –

“Ne kemi bërë mirë ndaj skuadrave të mëdha, madje nuk na janë dhënë penallti apo atyre iu janë dhënë ndoshta të dyshimta. Nuk kanë pasur fare diferenca me ne, që nga Vllaznia, Tirana, Kukësi apo Partizani dhe kjo pozitë e jona në renditje, nuk është reale”.