Në Kategorinë e Parë, Bylisi dhe Erzeni duket se janë tashmë dy skuadrat pretendente për t’u ngjitur në Superiore, por një duel tjetër mjaft i bukur është edhe ai mes dy shkodranëve Jasmin Raboshta dhe Eridon Qardaku, për të qenë në krye të listës së golashënuesve.
Faktikisht, Shkodra e ka treguar gjithmonë se është “djepi i futbollit” në Shqipëri, sa i përket prodhimit të lojtarëve, dhe një gjë e tillë tashmë, nuk përbën çudi në opinionin sportiv.
Kështu, në ndeshjen e sotme mes Bylisit dhe Besëlidhjes, ballshiotët i ka nderuar Eridon Qardaku, i cili ka shënuar golin e vetëm në fitoren e arritur në “Adush Muça” kundër Besëlidhjes së vendit të 12-të. Në pjesën e parë, ka qenë pikërisht shkodrani 21-vjeçar Qardaku, që ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 12-të.
Ky ishte edhe goli i vetëm i ndeshjes dhe njëkohësisht i fitores për Bylisin që vazhdon të kryesojë renditjen. Me golin e sotëm, Eridon Qardaku është ngjitur në kuotën e 9 golave, një gol më pak se shkodrani tjetër Jasmin Raboshta dhe të dy këta kryesojnë renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit të Kategorisë së Parë pas 16 javësh.
Ndërkohë, në krahun tjetër, sulmuesi shkodran Jasmin Raboshta e ka nisur me gol vitin 2022 në Kategorinë e Parë, teksa ka shënuar për ekipin e tij, Erzenin, madje i ka dhënë edhe një pikë atyre në ndeshjen e sotme.
Erzeni ka barazuar në fushën e vet me skuadrën e Apolonisë. Jasmin Raboshta, sulmuesi shkodran që ka luajtur me disa skuadra në Superiore dhe në Kategorinë e Parë, ka shënuar për shijakasit, ndërsa Apolonia ka shënuar e para me Krasniqin. Raboshta, me golin e tij i ka dhënë pikën ekipit vendas. Ky lojtar e ka eksperiencën e tij të parë me Erzenin, teksa për dy sezone ka luajtur edhe në Turqi, ndërsa më përpara ka provuar të luajë edhe me Vllazninë dhe disa skuadra të tjera të kampionatit shqiptar.
Kudo ku ka luajtur, Raboshta është dalluar për aftësitë e tij nuhatëse para portave kundërshtare dhe për golat e shumtë që ka shënuar. Këtë gjë ai po mundohet ta bëjë edhe tek Erzeni, teksa deri më tani kryeson renditjen e golashënuesve në kampionatin e Kategorisë së Parë me 10 gola.
Maringlen Zhivani