Vllaznia e Mirel Josës ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e rradhës ndaj Erzenit për javën e 19-të të Abissnet Superiore. Kuqeblutë janë nisur tashmë drejt Durrësit për t’u grumbulluar, aty ku do të luajnë mbrëmjen e nesërme ndeshjen ndaj shijakasve.

Për këtë përballje, “Shkodra Sport” mëson se e veçanta dhe ajo që bie në sy do të jetë aktivizimi si titullar i sulmuesit shkodran Bekim Balaj. Afrimi i bujshëm i klubit shkodran pritet ta nisë nga minuta e parë mbrëmjen e nesërme kundër Erzenit.

Në ditët e fundit të stërvitjeve, Josa ka provuar Balajn në rolin e sulmuesit, duke lënë në këtë mënyrë në stol brazilianin Kaina. Në fakt, në ndeshjen e nesërme ndaj Erzenit pritet një Vllazni sulmuese, teksa do të kërkohet vetëm fitorja nga kjo përballje e vështirë, në mënyrë për t’u rikthyer tek rezultatet pozitive.

Prandaj, trajneri Josa ka menduar që të ndryshojë edhe formacionin, duke i dhënë mundësinë për ta nisur nga minuta e parë edhe sulmuesit shkodran të Kombëtares, Bekim Balaj. Humbja në ndeshjen e fundit ndaj Bylisit nuk e ka lënë të kënaqur Vllazninë, e cila këtë sezon ka synime madhore, ashtu si në tre sezonet e fundit.

Megjithatë, me Balajn në majë të sulmit, drejtuesit dhe trajneri Mirel Josa janë të bindur se forca e vërtetë e skuadrës do të dalë në pah në ndeshjen e nesërme. Erzeni-Vllaznia do të luhet mbrëmjen e nesërme në stadiumin “Niko Dovana”, duke nisur nga ora 19:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanalet e platformës “OverSport”.
Maringlen ZHIVANI