Nëse do të thoshim se ishte javë surprizash, sërish nuk do ta shprehnim saktë. Natyrisht, mund të ndodhë që ekipi kampion të mundet, por kur kjo gjë vjen si rrufe në qiell të pastër, padyshim që është një e papritur e madhe. Kjo i ndodhi Tiranës që u mposht në “Arenën e Kukësit” me vendasit që triumfuan 2-0.
Një ekip që kishte harruar se çfarë ishte tripikëse, sapo ka arritur dy të tillë radhazi, fillimisht në fushën e Egnatias dhe tani ndaj bardhebluve. Edhe pse Tirana pati më në fund, Kristal Abazajn dhe Regi Lushkjen që hynë në pjesën e dytë, sërish kjo nuk i bëri punë, ndërsa humbjen e pësoi një ekip që e kishte harruar kuptimin e kësaj fjale.
Ovusu në pjesën e parë dhe Bytyçi pas pushimit shënuan golat që e ngjitën skuadrën e trajnerit Hallaçi që ka tani 22 pikë duke iu larguar sado pak fundit. Tirana do të mbetet në kryesim të Abisnet Superligës edhe pas humbjes sepse ka 34 pikë ndaj 30 të Partizanit, i cili luan këtë të hënë.
Në Ballsh, Bylisi vendas fitoi sfidën direkte për mbijetesë ndaj Kastriotit. Përballja u zgjidh nga një gol i Doit në 76’ dhe mallakastriotët u ngjitën në kuotën e 23 pikëve, po aq sa Laçi që ka një ndeshje më pak. Krutanët mbetën të fundit me vetëm 19 pikë.(Marrë nga Sfidanti.al)