Nga Endri ÇINARI

Vllaznia arriti dje të fitonte ndaj Flamurtarit në shifrat e thella 4-0. Duel i zhvilluar në kuadër të 1/8 të kupës së Shqipërisë, ku tashmë shkodranët janë kualifikuar në çerekfinale. Fitorja kundër vlonjatëve ishte e gjashta rradhazi për kuqeblutë. Kjo mes kupës dhe kampionatit.

Sukses që tregon për formën e shkëlqyer që po kalon ekipi i drejtuar nga Qatip Osmani. Dhe po ashtu për sezonin që është futur në shinat e duhura. Por ajo që bie në sy në këto fitore është se Vllaznia e ka mbajtur portën të paprekur në 5 ndeshjet e fundit. Kështu shkodranët nuk pësojnë gol që nga fitorja me Dinamon në shifrat 3-1.

Janë plot 450 minuta që Qarri dhe ekipi kuqeblu nuk e kanë nxjerrë topin nga rrjeta e tyre. Në këtë mënyrë duke e “kyçur” portën shkodrane. Dhe ku në fillim të sezonit cilësohej si një nga repartet ku Vllaznia “çalon”, porta dhe mbrojtja janë shndërruar në një siguri. Patjetër që në kampin shkodran euforia është shumë e ulët.

Kjo pasi ndeshjet pasojnë shpejt njëra-tjetrën dhe nuk ka kohë për shumë festë. Duke nisur që nga e diela, ku Vllaznia do ketë një duel direkt me Partizanin. Kryeqytetasit që ndodhen në vendin e dytë do vizitojnë Shkodrën. Dhe me Vllazninë që po kalon një superformë, të gjithë duan dhe shpresojnë që shkodranët ti parakalojnë në renditje të kuqtë.