HomeFUTBOLLQetësohen te Flamurtari, Idrizi jep pëlqimin për 10 titullarë

Qetësohen te Flamurtari, Idrizi jep pëlqimin për 10 titullarë

Qetësohen te Flamurtari. Klubi është drejt rikonfirmimit të grupit që ngjiti skuadrën në Kategorinë e Parë.

“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta pranë klubit se administratori Sinan Idrizi ka dhënë pëlqimin për qëndrimin e pjesës më të madhe të grupit të lojtarëve.

Orët e fundit ai ka konfirmuar se pjesa më e madhe e tyre do të mbeten pjesë e kuqezinjve për sezonin 2022-2023.

Nga sot pritet që të ketë zhvillime më konkrete. Drejtuesit do të ulen me titullarët për të negociuar dhe konkluduar marrëveshjet e reja. Në klub ka një listë të hartuar nga vetë Sinan Idrizi për lojtarët me të cilët kërkon vijimin e bashkëpunimit.

Është thuajse boshti i skuadrës që sipas planit qëndron. Ajo kryesohet nga portieri Shpëtim Moçka, për të vijuar me lezhjanin Ditmar Bicaj.

Pjesë e rëndësishme e projektit edhe kapiteni Andi Ribaj, duke shtuar këtu shkodranët Olsi Gocaj, Behar Ramadani dhe Denis Pjeshka.

Gjithashtu, qëndrimin të sigurt e ka edhe kavajasi Alked Çelhaka. Nga lojtarët e huaj, i vetmi që pritet të rikonfirmohet është Indio Oliviera.

Të paktën për momentin, pasi mund të mos ketë akord.

Janë thuajse të ikur dy brazilianët e tjerë, Quitera Gomes Cabral Nicholas dhe Marques Perdosa Joao Pedro.

Për ta vështirë të ketë hapësira në skuadrën e re. Burimet bëjnë me dije se pjesë e listës së lojtarëve që qëndrojnë janë edhe dy vlonjatët Mateo Qarri dhe Gesti Diamanti, të cilët shikohen si bazë për të ardhmen.

ÇËSHTJA E PANKINËS

Gjasat janë që bashkë me pjesën më të madhe të grupit të rikonfirmohet edhe trajneri Dritan Resuli. Më mbërritjen e Sinan Idrizit nga Turqia, këtë javë do t’i jepet drejtim edhe çështjes së trajnerit. Gjasat janë të shumta që të vijohet me Resulin.

“Trajneri erdhi, e takova, i thashë ato që kisha për t’i thënë. E pres tani të vijë të më kthejë përgjigje. Me t’u kthyer nga Turqia, do të zgjidhim çështjen e trajnerit.

Besoj se ka punuar, me sa kam marrë vesh, në drejtim të atyre që i kam kërkuar. Do takohemi prapë sapo unë të vij në Vlorë”, u shpreh pak ditë më parë për gazetën Idrizi.

E megjithatë, nuk ka një emër për zëvendësimin e Resulit, ndaj dhe peshorja anon më shumë drejt rikonfirmimit në krye të stolit të vlonjatit.

“NGEC” MERKATOJA

I vetmi lojtar në ardhje për të cilin flasin me bindje në klub se është mbyllur marrëveshja është Sokol Neziri. Mbrojtësi i djathtë që e mbylli sezonin në Krujë te Kastrioti, pritet që të mbërrijë në Vlorë për të firmosur në ditët në vazhdim.

Bie pista e Abdurraman Fangajt, ndonëse deri një muaj më parë ishte thuajse i kuqezinjve. Mbrojtësi shkodran pritej në Vlorë, por orët e fundit zgjodhi Egnatian.

Megjithatë, te Flamurtari presin disa lojtarë të tjerë. Mes tyre janë edhe pesë të huaj, konkretisht tre brazilianë dhe dy afrikanë./PANORAMA-SPORT/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments