Qeveria shqiptare me iniciativë të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka prezantuar sot projektin për masivizimin e sportit në Shqipëri. 5 milionë euro është buxheti për ngritjen e skuadrave në basketboll dhe volejboll për meshkuj dhe femra në shkollat e nivelit 9 vjeçar, ato të Mesme dhe në Universitet.

Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit ka vënë theksin te masivizimi i sportit, ndërsa për këtë projekt është prononcuar edhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli.

“Jemi mbledhur sot për një qëllim të veçantë. Prezantojmë një projekt që do na shoqërojë gjatë gjithë vitit në shkolla. Për herë të parë qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 5 milionë eurosh për masivizimin e sportit në shkolla dhe univeristete. Masivizimin e sportit në nivele të ndryshme. Do jetë KOKSH që me eksperiencën dhe impaktin që ka, do organizojë dhe bashkërendojë punën dhe aktorët e përfshirë. Do shtojmë numrin e disiplinave.

Atletike, gjimnastikë, tenis dhe do ta zgjerojmë. Fakti që jemi sot të gjithë bashkë, mirëqënia e fëmijëve dhe të rinjve është çështje për gjithë qeverinë. Të gjithë kemi detyrimet tona. Përfitues do jenë edhe prindërit, familjet dhe federatat. Suksesi i këtij projekti varet nga të gjithë ne”, tha Evis Kushi.

Kreu i KOKSH, Fidel Ylli ka treguar se do jenë 750 skuadra në nivele të ndryshme që do krijohen dhe 380 vende pune për trajnerët që do paguhen nga ky fond.

“Sot është një ditë historike për sportin shqiptar. Qeveria dhe kryeministri ka bërë të mundur që në çdo cep të Shqipërisë të implemntohet ky projekt. Në arsimin e ulët, të mesëm dhe të lartë. Jeta aktive e shëndetshme vlen në këtë projekt.

Projekti këtë vit do jetë në dy disiplina sepse kaq ishte buxheti. Basketboll dhe volejboll meshkuj dhe femra. Kjo nuk ka të bëjë me kampionate në një shkollë. Do zgjedhim ekipet me lojtarët më të mirë të shkollave me trajnerë profesionistë që do paguhen. Sot kemi bërë edhe ndihmë për familjet, që mos dërgojnë fëmijët në kurse ku harxhojnë.

Projekti do prekë 16 mijë nxënës dhe studentë. Do krijohen 750 skuadra sportive, për femra dhe meshkuj. Më shumë se 380 vende pune për trajner do paguhen për një vit nga ky fond. Kemi marrë përgjigje nga 18, jo nga 64 bashki. Nuk e bën dot KOKSH këtë, ne kemi paraqitur projektin. Ky kërkon angazhim total në çdo bashki, në çdo shkollë”, tha Fidel Ylli, kreu i KOKSH.