Ish- trajneri i Vllaznisë Baldo Raineri ndodhet sërish në Shkodër. Ai është rikthyer në vendin tonë për të vazhduar kursin e liçensës UEFA PRO por gjatë kohës së pushimit nuk mund të qëndrojë pa u kthyer dhe pa qëndruar në qytetin që ka lënë gjurmë tek ai. Pasditen e sotme, duke parë edhe interesimin e mediave, ka preferuar të japë një konferencë për shtyp. I pyetur për situatën që ka kaluar skuadra pas largimit të tij, ai ka thënë: “Motivi pse jam në Shkodër ka të bëjë me atë se jam në kurs për liçensë sepse më duhen edhe tre javë për të marrë atë.

E them këtë për të eliminuar mendimet e këqija që mund të lindin se gjoja kam ardhur ngaqë mund të kem ndonjë problem financiar me klubin Vllaznia. Marëdhëniet me Kalamishin dhe Grimën i kam patur dhe i kam shumë të mira. Shqipëria mund të jetë vendi ku do të vazhdoj sërish punën time si trajner sepse këtu ndihem mirë dhe këtë ia kam bërë të qartë edhe familjes time. Ky vend më ka bërë për vete ndërsa shkodranët më kanë “vjedhur” zemrën. Gjatë qëndrimit në kurs, kam dëgjuar trajner të ndryshëm që përdorin fjalën “malok” si shenjë ofendimi për shkodranët. Më duket diçka e pakuptimtë sepse ata njerëz të mrekullueshëm dhe nuk kanë të bëjnë aspak me këtë përkufizim. Sa i takon ecurisë së Vllaznisë pas largimit tim, dua të them se e kam ndjekur rregullisht atë në çdo ndeshje,madje edhe të gjitha ndeshjet e tjera të kampionatit shqiptar. Dua të them se ne si staf ishim nisur të punonim me një projekt krejt tjetër ndërsa tani skuadra po luan krejt ndryshe. Nuk dua të bëj polemika në lidhje me ecurinë e saj, por fakti që në 9 ndeshjet që trajneri i ri ka drejtuar skuadrën, ka marrë vetëm 8 pikë, flet vetë. Unë e kam nisur punën në verë me shumë probleme, pa fazë përgatitore dhe me -3 pikë megjithatë megjithë këtë situatë, arritëm të marrim 14 pikë në 9 ndeshje. Diferencën bëjeni vetë. Kuptohet që nuk kisha dëshira të largohesha, por vendimin e mori Bordi.Po ashtu, kam mësuar se ka shumë dëmtime futbollistësh gjatë kësaj periudhe. Pse ndodhin ato, mund të pyesë çdokush? Përgjigja është e thjeshtë: “Pse nuk ndodhën në periudhën kur punoja unë bashkë me profesor Nervin dhe me Olivën? Prandaj, përgjegjësia është e stafit aktual që nuk ka ditur ndoshta të japë ngarkesat e duhura apo të bëjë stërvitjen e duhur. Nëse stafi aktual për rezultatet jo shumë pozitive mund të justifikohet me faktin se po u jep prioritet futbollistëve të rinj, më thoni cili futbollist i ri nuk ka qenë në planet e mia dhe nuk është aktivizuar edhe atëherë.Unë gjithsesi dua të kthehem sërish këtu. Në aeroportin e Malpensas kur do nisesha për Shqipëri, ndesha shumë shqiptarë që më njihnin tashmë dhe kur më pyesin se ku po shkoja, habiteshin kur merrnin vesh se unë po vija në Shqipëri. Më quanin ndoshta të çmendur, sepse ata vetë po largoheshin nga Shqipëria (nuk dua të paragjykoj anën ekonomike të tyre dhe nuk i di rrethanat e vërteta) ndërsa unë po vija të punojë aty. Do ta bëja sërish, të vija e të punoja në Shqipëri dhe sidomos në Shkodër nëse një ditë do kujtohen për mua. Kuptohet nëse ka një projekt serioz dhe një president serioz sepse nëse skuadra i mbet sërish Bashkisë, kuptohet që ajo nuk i ka mundësitë për të bërë gjëra të mëdha. Ajo që më vjen keq dhe që dua ta përmend në fund është se stafi aktual i ka porositur lojtarët e skuadrës që të mos më takojnë mua. Nuk e di pse mendojnë kështu apo ndoshta ngaqë kanë idenë se mund t’u krijohen probleme por kjo nuk është njerëzore”- ka thënë Baldo Raineri për gazetarët.

© shkodrasport.com