Gjatë vizitës së tij në Shkodër sot, kryeministri Rama ka inaguruar edhe nisjen e punimeve të rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi”. Ndonëse Bashkia Shkodër kishte deklaruar se punimet nuk mund të nisnin pa patur një projekt në zyrat e saj, fadromat gjithsesi kanë nisur punën paraditen e së dielës për prishjen e tribunës qendrore. Ajo që ka folur e para ka qenë Ministrja e Arsimit dhe e Sportit Lindita Nikolli dhe më pas presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka. Për t’i lënë vendin pastaj kryeministrit Edi Rama i cili në fjalën e tij deklaroi se e po e mban premtimin që u pati bërë shkodranëve ndonëse shumëkush nuk besonte për ndërtimin e këtij stadiumi, duke shpresuar që gjithçka të ecë shpejt në mënyrë që ndeshja me Serbinë të luhet pikërisht në “Loro Boriçi”. “Qeveria është e vendosur të bëjmë për sportin atë që s’është bërë në 20 vjet. Stadiumi kur është i denjë dhe kur i ka standardet për të mirëpritur jo vetëm skudara dhe tifozët, por edhe familjet, uroj të vijnë me familje, vajza e djem, prindërit të vijnë me fëmijët. Jam i bindur se e bukura është edhe mjeti më efikas edhe kundër dhunës dhe kundër abuzimit me hapësirat publike. Stadiumet janë ekonomi, direkte dhe indirekte. Shumëkush mund të bëhet xheloz se pse ky investim bëhet në Shkodër. Në Shkodër sepse ky qytet është i lidhur ngushtë me sportin, në këtë qytet ka lindur futbolli shqiptar dhe njerëzit janë shumë sportdashës. Të shpresojmë se punimet do të bëhen në kohë rekord dhe të kapim ndeshjen me Serbinë, për ta luajtur pikërisht këtu”- ka thënë kryeministri Rama.Puna sot ka nisur dhe të gjithë tashmë shpresojnë që ato të mbarojnë në kohë ndonëse jemi me shumë vonesë megjithatë nëse projekti është serioz gjithçka mund të mbyllet në kohë. E rëndësishme është që Shkodra të ketë një stadium bashkëkohor tashmë, brenda të cilët është premtuar se do të ndërtohet edhe muzeu i ri i Vllaznisë.
© shkodrasport.com