Në katër ndeshjet e fundit në pankinën e Vllaznisë numri 1 ka qenë malazezi Darko Vujaçiç megjithatë pranë tij ka qenë edhe Bledar Gjeçaj. Ndoshta disi më i spostuar nga lëvizjet që ka bërë presidenca e shoqatës së basketbollit të Vllaznisë por ai sërish ka qenë aty. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Ky ekip është krijuar prej tij. Erdhi deri në fund falë punës së tij dhe kurrsesi nuk mund ta anashkalohej. Gjeçaj është historia e këtij sporti në Shkodër. Nëse Vllaznia në gjithë historinë e saj është shpallur 8 herë kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, në 7 prej këtyre sukseseve, ai ka lënë shenjat e tij. 5 herë si sportist dhe 2 herë si trajner. Më shumë se kushdo tjetër. Këto fakte sigurisht që flasin vetë për vlerat e tij. 45 vjeçari është një nga emblemat e këtij sporti jo vetëm në Shkodër por edhe në Shqipëri, madje edhe në Kosovë ku ka luajtur për disa vite me rradhë duke qenë një idhull i tifozërisë së atjeshme. U kthye në Shkodër duke nisur punën si trajner, fillimisht përkrah Petrit Osmanit dhe pastaj i vetëm, ndonëse u përball me shumë problematika. Para tre sezonesh, ai bashkë me miqtë e tij Astrit Zaganjorin, Ben Idrizin etj, krijuan shoqatën e basketbollit Vllaznia, ku për fat gjetën një njeri me zemër të madhe për ta vënë në krye të kësaj shoqate, Sokol Dibrën. Ky i fundit ka investuar fuqishëm dhe rezultatet erdhën. Në dy sezonet e fundit, skuadra ka marrë dy tituj kampionë dhe dy Kupa të Republikës. Pa lënë mënjanë edhe pjesmarrjen për herë të parë pas shumë vitesh të një ekipi shqipar në aktivitetet ndërkombëtare siç ishte Liga Ballkanike. Por pavarësisht këtyre suksese, ekipi i drejtuar nga Bledar Gjeçaj në dy sezonet e fundit ka arritur një tjetër rekord: atë të mbushjes së pallatit të sportit. Kishte më tepër se 25 vite që nuk ndodhte një histori e tillë e mosgjetjes së një bilete për të parë ndeshjet e basketbollit.  U përsërit falë këtij ekipi, punës së këtyre djemve, të stafit teknik dhe mbi të gjitha të presidentit Dibra.

Gjergj KOLA

Titujt kampionë të Bledar Gjeçajt:

Si lojtar:
1989-90
1992-93
1996-97
1997-98
1999-00

Si trajner:
2013-14
2014-15