Drejtoti i Partizanit, Olsi Rama, ka akuzuar përsëri gjyqtarin Enea Jorgji si të njëanshëm në vendimet që merr kundër klubit të tij. Në një lidhje direkte me studion e “Rubrika Sportive”, Rama ka theksuar se vendimet e gabuara të tij, tashëm ishin të dukshme si kundër Partizanit dhe e shqetësonte fakti se edhe VAR nuk kishte ndërhyrë për të ndryshuar situatën.

“Më habit rasti i Skukës në fillim. Për çfarë do të ndërhyjë VAR-i nëse jo për një kontakt? Arbitri në këtë rast i ka pohuar një prej pjesëtarëve të stafit që ka qenë simulim. Nëse do të ishte simulim, do ishte karton për Skukën. Duket që ka kontakt, që bëhet me këmbën brenda zonës, edhe sipër vizës është pjesë e zonës. Kështu që patjetër që Jorgji duhet ta vlerësonte kështu.

Jam dakord që ishte në distancë dhe kam rezerva edhe në aspektin e përgatitjes, se ishte në fillim të ndeshjes. Duhej të ishte më afër aksionit, por në mënyrë absolute, VAR-i duhet të ndërhynte. Pastaj nëse VAR ndërhyn e Jorgji thotë e kam parë unë, është gjë tjetër.

Ka një problem me sistemin se ne si klub tentojmë të përmirësohemi dhe jemi në errësirë me vendimmarrjen, me raportet që dërgohen në Federatë nga vëzhguesit, raportet e arbitrave. Asnjëherë nuk marrim informacion. Në Ligat më të mira gjërat bëhen publike, si në La Liga ku komunikimi me VAR është i njohur. Jemi jashtë edhe sa i përket sanksioneve nga komisionet e arbitrave, që mund të merren ndaj tyre.

Nuk e kisha të qartë rastin e dytë nga pozicioni ku isha, se këtë kontaktin me gju, mendova se kapi topin Bardhi e pastaj goditi Skukën. Mendoj se jorgji duhej të ishte treguar edhe më inteligjent, mjaftonte të shihte reagimin e Bardhit dhe e kuptonte se ka pasur një goditje. Derisa vritet gjuri në shpinën e sulmuesit.

Penalltia? Mendoj se nxitimi i Jorgjit është për të dhënë penallti, se është qartësisht larg, se nuk është centimetra. Kontakti i Muratajt nis te harku, i fundit është shkelja dhe është një metër larg zonës. Është i çuditshëm. Mbase-mbase, po të marrësh penalltinë që dha kundër Vllaznisë ku qëndroi një minutë e gjysmë, mund të them që tani i duhej të nxitonte për të marrë një vendim në disfavor të Partizanit. Jam shumë i zhgënjyer”, tha Rama.