Rastësi apo strategji? Vështirë të dalësh në një konkluzion përfundimtar, por duket sikur janë pak nga të dyja. Bëhet fjalë për futbollistët e Vllaznisë, më saktësisht për mesfushorët e saj.

Aktualisht, në skuadrën shkodrane ka pesë mesfushorë që do të luftojnë për një vend titullari, nga tre apo katër që do të jenë në fushë, në varësi të skemës që do të përdorë trajneri Mirel Josa. Ajo që bie në sy është fakti se janë të gjithë pothuajse në një gjatësi, edhe pse me aftësi dhe cilësi të ndryshme sportive, të cilat do të vendosen në shërbim të skuadrës për këtë sezon.

Megjithatë, përveç kësaj, mbetet për t’u parë nëse këtë sezon do të kenë arritjen e titullit kampion, në një kohë që në Shkodër e presin me padurim një tjetër kampionat.

Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Shkodra Sport”, kryesisht rreth mesfushorëve të skuadrës shkodrane, titullarët e mundshëm të kësaj skuadre në këtë repart janë një “prerje” sa i përket shtatit. Kështu, përveç Herald Markut që është 188-cm, katër futbollistët e tjerë janë nën këtë gjatësi.

Mesfushori shkodran i ardhur nga skuadra e Akademisë së Vllaznisë U-19, Rejan Alivoda është 183-cm, për t’u ndjekur nga Fjoart Jonuzi me 181-cm dhe më pas nga kosovari i ardhur nga skuadra e Prishtinës, Lorik Boshnjaku me 179-cm dhe Elvedin Heriç me 178-cm.

Një detaj interesant që në njëfarë mënyre tregon edhe se si do të jetë Vllaznia e këtij sezoni në këtë repart, me futbollistët që shquhen për një përdorim të mirë të topit dhe do të kenë detyrën për të lidhur më mirë repartin e mbrojtjes me atë të sulmit. Nga ana tjetër, edhe mesfushorët e avancuar si Liridon Latifi, Arsid Kruja, Ardit Hoxhaj apo edhe Kristijan Vulaj, janë pothuajse në këto parametra gjatësie.

Diferencën në gjatësi e bëjnë shtyllat e një skuadre, siç janë qendërmbrojtësit dhe “pyka”, për të cilët klubi është treguar i kujdesshëm t’i afrojë edhe sipas parametrave fizikë. Dy qendërmbrojtësit Dajan Shehi, 191-cm dhe Marko Juriç 187-cm, së bashku me sulmuesit Kaina Nunes 196-cm dhe Ante Aralica 190-cm, janë gjigantët e kësaj skuadre.

Aty-aty është edhe portieri i Vllaznisë, Bojan Zogoviç, i cili është i gjatë 189-cm. Megjithatë, i pari që prin është padyshim sulmuesi brazilian, Kaina Nunes, i cili është i gjatë 196-cm.
Maringlen ZHIVANI